EUROPOL jep detaje për goditjen e rrjetit në Shqipëri që trafikonte kokainë

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatim të Ligjit (EUROPOL) ka dhënë detaje lidhur me goditjen e një rrjeti të organizuar kriminal shqiptar, të përfshirë në “trafikimin e tonelatave kokainë dhe pastrim të parave”. EUROPOL tha se gjatë bastisjeve të zhvilluar më 7 dhe 8 gusht në Shqipëri janë arrestuar dhjetë anëtarë të dyshuar…

Lajme

12/08/2025 12:02

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatim të Ligjit (EUROPOL) ka dhënë detaje lidhur me goditjen e një rrjeti të organizuar kriminal shqiptar, të përfshirë në “trafikimin e tonelatave kokainë dhe pastrim të parave”.

EUROPOL tha se gjatë bastisjeve të zhvilluar më 7 dhe 8 gusht në Shqipëri janë arrestuar dhjetë anëtarë të dyshuar të këtij rrjeti të organizuar kriminal shqiptar.

“Forcat shqiptare të rendit, në koordinim me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, kryen këtë operacion të mbështetur nga EUROPOL-i, kundër këtij rrjeti kriminal të bazuar në klane”, u tha në njoftim.

Sipas EUROPOL-it, hetimet kanë treguar se ky rrjet ka lidhje me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare që janë aktive në gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë.

“Pas arrestimit të një anëtari kyç të organizatës nga autoritetet shqiptare në fund të qershorit të vitit 2025, kontrollet çuan gjithashtu në sekuestrimin e aseteve të konsiderueshme, përfshirë një hotel, prona dhe biznese të ndryshme, si dhe një sasi të madhe provash fizike dhe digjitale”, u tha në njoftim.

Agjencia e bllokut evropian tha se operacioni është realizuar pas analizimit të të dhënave të komunikimeve të koduara të bëra në aplikacionin SkyECC. Ata gjetën se kishte pasur dërgesa me tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së.

“Hetimet kanë treguar se vetëm për një nga këto ngarkesa, objekti kryesor mori më shumë se 40 milionë dollarë amerikan për pjesën e tij”, u tha në njoftim./Radio Evropa e Lirë/