Eurodeputeti, Tomas Zdechovsky për deklaratën skandaloze te Paunoviqit: Kemi qenë shumë neutralë ndaj Serbisë, por “mjaft është mjaft”

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky nga Partia Popullore Evropiane (EPP), thotë të jetë tronditur nga deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, deputeti çek shprehet i bindur se nëse Paunoviq do të vazhdojë të qëndrojë në qeveri, BE-ja…

Lajme

18/07/2026 17:58

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky nga Partia Popullore Evropiane (EPP), thotë të jetë tronditur nga deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, deputeti çek shprehet i bindur se nëse Paunoviq do të vazhdojë të qëndrojë në qeveri, BE-ja do t’i ndërpresë negociatat për anëtarësim me Serbinë.

“Askush që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, nuk mund të përkrahë atë që ajo deklaroi. Dhe ta kujtojmë se çka ka bërë Sllobodan Millosheviqi, ishte qartazi gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo ministre do të vazhdojë të mbetet anëtare e qeverisë serbe, jam i sigurt se Bashkimi Evropian nuk do të vazhdojë me komunikimin dhe negocimin që Serbia të hyj në BE”, deklaroi Zdechovsky.

Ndër të tjera, ai thotë se të tronditur nga deklaratat e ministres serbe mbetën edhe shumë kolegë të tij të Parlamentit Evropian.

“Është shumë e nevojshme që të jemi të qartë se nëse dikush që ka këtë opinion dhe qëndron në qeverinë e një vendi demokratik, atëherë diçka nuk shkon këtu dhe ju nuk mund të jeni anëtar i Bashkimit Evropian. BE-ja është klub VIP për vendet demokratike”, theksoi eurodeputeti çek.

Tomas Zdechovsky mendon se Evropa ka qenë “shumë neutrale ndaj Serbisë për një kohë gjatë”.

“Nuk e kemi kritikuar presidentin aktual atje i cili ka shumë skandale korrupsioni i cili është shumë i afërt me Vladimir Putinin e Rusinë, ai mbështet kinezët kundër Bashkimit Evropian, ai kurrë nuk ndërmori asnjë veprim ndaj agjentëve rusë e propagandës ruse. Dhe po, ne kemi qenë të durueshëm për një kohë të gjatë”.

“Por tani duam të themi ‘mjaft është mjaft’. Serbia e ka mundësinë e fundit që të jetë pjesë e botës demokratike. Nëse Serbia vazhdon kështu, atëherë ne po dërgojmë porosi të fortë se ‘ne nuk e duam Serbinë në BE, dhe ata mund të jenë pjesë e Rusisë’. Ata mund të shkojnë në tokën e Putinit, dhe të kalojnë krejt kohën me presidentin rus”, deklaroi Zdechovsky.

Në fund, ai tha se është i mendimit që “me të vërtetë do t’i ngrijmë marrëdhëniet tona me Serbinë, dhe do të ketë pasoja serioze”.

“Nuk mund të ju them më shumë, por ne po diskutojmë se si do të veprojmë nëse Serbia do të vazhdojë kështu”, përfundoi eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky.