Eurodeputeti Terras kritikon ashpër Costën për vizitën në Beograd
Një grup eurodeputetësh i ka dërguar letër presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke i kërkuar anulimin e takimit të planifikuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për shkak të vizitës së këtij të fundit në Moskë javën e kaluar. Iniciator i letrës ishte eurodeputeti Riho Terras, i cili kritikoi Costën për mosreagim, pavarësisht kërkesave të…

Lajme
Një grup eurodeputetësh i ka dërguar letër presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke i kërkuar anulimin e takimit të planifikuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për shkak të vizitës së këtij të fundit në Moskë javën e kaluar.
Iniciator i letrës ishte eurodeputeti Riho Terras, i cili kritikoi Costën për mosreagim, pavarësisht kërkesave të përsëritura jo vetëm nga eurodeputetët, por edhe nga disa shtete anëtare të BE-së.
Costa arsyetoi vizitën në Beograd me angazhim të zyrtarëve të BE ndaj secilit shtet të rajonit. Megjithatë Terrasi është i mendimit se angazhimi me kriminelët dhe miqtë e kriminelëve nuk është ajo që duhet të bëhet në momente të krizës së thellë dhe luftës që zhvillohet në territorin evropian:
“Presidenti Costa i dha një mesazh Putinit se gjithçka që ai bën është e pranueshme nga Bashkimi Evropian. Vet shkuarja e presidentit serb Vuçiqi në Moskë vetëm se konfirmoi se lufta e Putinit është e drejtë. Dhe tani Bashkimi Evropian ka dëshmuar se vlerat nuk kanë më rëndësi për ne, dhe kjo është absolutisht e papranueshme për mua dhe kolegët e mi që kanë nënshkruar këtë letër”, tha Riho Terras.
Brukseli kishte tërhequr vërejtjen që Vuçiqi të mos udhëtonte drejt Moskës, por kjo u injorua nga presidenti serb.
Vetëm një fundjavë e ndau Vuçiqin nga takimet me homologun rus dhe ata evropianë.
Në fund të kësaj jave, saktësisht një javë pas vizitës së tij në Moskë, Vuçiqi do të qëndrojë në Tiranë, në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, ku pritet të marrin pjesë mbi 40 liderë të kontinentit. /rtk