Eurodeputeti slloven nominon Muskun për Çmimin Nobel për Paqe

Miliarderi dhe sipërmarrësi i njohur Elon Musk është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për kontributin në avancimin e lirisë së fjalës, një vlerë thelbësore e shoqërive demokratike. Përpjekjet e afrikano-amerikanit për të mbështetur një mjedis më të hapur për shprehjen e lirë janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave…

Bota

29/01/2025 19:09

Miliarderi dhe sipërmarrësi i njohur Elon Musk është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për kontributin në avancimin e lirisë së fjalës, një vlerë thelbësore e shoqërive demokratike.

Përpjekjet e afrikano-amerikanit për të mbështetur një mjedis më të hapur për shprehjen e lirë janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe promovimin e dialogut të lirë në nivel global.

Anëtari slloven i Parlamentit Evropian, Branko Grims, ka qenë forca lëvizëse pas kësaj nominimi, duke argumentuar se angazhimi i Muskut për mbrojtjen e fjalës së lirë është një kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin shoqëror.

“Propozimi që zoti Elon Musk, për mbështetjen e tij të vazhdueshme për të drejtën themelore njerëzore të lirisë së fjalës dhe, në këtë mënyrë, për paqen, të marrë Çmimin Nobel për Paqe 2025, u dorëzua sot me sukses. Falënderime të sinqerta për të gjithë bashkëpropozuesit dhe për këdo që ndihmoi në këtë projekt sfidues,” tha eurodeputeti slloven.

Nominimi i Muskut për këtë çmim prestigjioz vjen në një kohë kur debati mbi kufijtë e lirisë së fjalës dhe rolin e platformave digjitale në demokraci është më i nxehtë se kurrë. Përmes blerjes dhe reformimit të rrjetit social X (ish-Twitter), Musk ka theksuar rëndësinë e një hapësire komunikimi ku mendimet e ndryshme mund të shprehen lirshëm, pa frikë nga censura apo ndërhyrjet politike.

Megjithatë, qasja ndaj moderimit të përmbajtjes ka ngjallur edhe kritika, me disa që argumentojnë se liria e pakufizuar e shprehjes mund të çojë në përhapjen e dezinformimit dhe urrejtjes në internet.

Pavarësisht debatit, mbështetësit e nominimit të tij besojnë se përpjekjet e tij për një diskurs më të hapur dhe të pakufizuar e bëjnë atë një kandidat të denjë për Çmimin Nobel për Paqe.

Ndryshe, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka bërë të ditur se ajo dhe (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.