EULEX mohon akuzat, shprehen të vendosur për ta luftuar korrupsionin (Video)
Misioni europian për sundim të ligjit EULEX, ka mohuar akuzat të raportuara në media për përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në afera korruptive. Shefi i këtij misioni Gabriele Meucci ka thënë se ata janë duke punuar sipas ligjeve.
Lajme
EULEX-i, është duke punuar sipas ligjit në Kosovë dhe është i vendosur që ta luftojë korrupsionin, ka thënë shefi i këtij misioni Gabriele Meucci.
Ai sot gjatë një konference për media ka thënë se se prokuroria Maria Bamieh është e suspenduar, por që nuk është duke u ndjekur penalisht.
“Pretendimet e paraqitura nga zonja Bamieh janë shqyrtuar plotësisht që nga viti 2013. Këto pohime, siç e dini, përmbajnë disa emra”.
“BE është pajtuar që pjesërisht t’ia heqë imunitetin një personi në mënyrë që të mundësojë përparimin e hetimeve. Heqja e pjesshme e imunitetit është një hap teknik në procedurën gjyqësore. Supozimi i pafajësisë qëndron si i tillë. Megjithatë, ajo tregon përkushtimin tonë që t’i qojmë përpara këto pohime. Heqja e imunitetit është bërë para publikimit të këtyre artikujve dhe është nisur muaj më parë”.
“Në pajtim me autoritetin tim, sipas kodit të sjelljes së misionit që është obligues, unë kam suspenduar zonjën Bamieh me pagë të plotë dhe të gjitha kushtet që i takojnë. Është një masë parandaluese, suspendimi nuk është sanksion në vetvete”.
“Policia e EULEX-it absolutisht nuk po e përcjell Maria Bamieh-n. Zonja Bamje ishte në një restorant ku kishte edhe staf të EULEX-it”.
I pyetur për hetimet që kanë të bëjnë me aferat e korrupsionit të zyrtarëve të këtij misioni, të publikuara në shkrimet e gazetës Koha Ditore, Meucci, nuk ka dashur të jap detaje, duke u arsyetuar me faktin që nuk dëshiron të ndikojë në mbarëvajtjen e tyre.
“Nuk mund të komentojë për hetimet që janë në vijim e sipër. Meqenëse ky është hetim penal, unë nuk dua të hyjë në atë se në cilën fazë të procedurave është secili prej hetimeve. Prandaj, do të kërkoja nga ju të mos kërkoni përgjigje dhe gjëra specifike të mëtejme”.
Meucci ka bërë të ditur se as gazetarët që kanë publikuar shkrime për prezencën e korrupsionit në EULEX, nuk janë duke ndjekur.
Megjithëkëtë, ai nuk ka dashur të komentojë hetimet e mundshme të prokurorëve të EULEX-it të cilët dyshohen se janë të përfshirë në korrupsion.