EULEX-i po monitoron seancat për “Banjskan”, për të vlerësuar nëse institucionet po i përmbahen kuadrit ligjor
Me të nisur më me intensitet të mbajturit e seancave gjyqësore mbi rastin “Banjska”, edhe interesimi i masës për to është po aq i lartë. Vetëm gjatë kësaj jave janë mbajtur 4 seanca, ku u dëgjuan deklaratat e dëshmitarëve të sulmit, të cilët në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ishin drejtpërdrejt të përfshirë…

Lajme
Me të nisur më me intensitet të mbajturit e seancave gjyqësore mbi rastin “Banjska”, edhe interesimi i masës për to është po aq i lartë.
Vetëm gjatë kësaj jave janë mbajtur 4 seanca, ku u dëgjuan deklaratat e dëshmitarëve të sulmit, të cilët në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ishin drejtpërdrejt të përfshirë në tragjedinë e 24 shtatorit.
Seancat po përcjellën me kujdes edhe nga ana e misionit të BE-së në Kosovë, ELUEX.
EULEX-i pohon se ka monitoruar nga afër, që nga hapja e hetimeve, dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e ndjekjes penale dhe gjyqësore të kryera nga autoritetet e Kosovës, në lidhje me rastin.
“Sipas mandatit të tij aktual, EULEX-i ka monitoruar nga afër që nga hapja e hetimeve dhe vazhdon të monitorojë aktivitetet e ndjekjes penale dhe gjyqësore të kryera nga autoritetet e Kosovës në lidhje me rastin, me qëllim që të vlerësojë nëse institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës i përmbahen kuadrit ligjor në fuqi dhe detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, pa diskriminim”, deklaron EULEX-i për IndeksOnline.
EULEX-i deklarojnë se në këtë fazë nuk janë në gjendje të komentojnë mbi gjetjet e monitorimit.
“Nëse përmes monitorimit tonë identifikohen mangësi serioze, duke përfshirë edhe në lidhje me detyrimin e sistemit të drejtësisë të Kosovës për të përmbushur të drejtën e të pandehurve për gjykim të drejtë, ne i adresojmë këto me autoritetet përgjegjëse, duke zhvilluar rekomandime dhe këshilla që i mundësojnë atyre të trajtojnë në mënyrë efektive mangësi të tilla” thotë EULEX-i.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Milan Radojiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Tre të akuzuarit paraprakisht ishin deklaruar të pafajshëm dhe nuk e kishin pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen.