EULEX edhe dy vjet në Kosovë
Autoritetet ndërkombëtare i kanë paralajmëruar institucionet vendore se trajtimi i krimeve të rënda dhe korrupsionit në nivel të lartë, pastaj çështja e krimeve të luftës, dikton nevojën e vazhdimit të mandatit të EULEX-it me kompetenca ekzekutive.
Lajme
Misioni i Bashkimit Evropian, qoftë me emrin EULEX apo me një emër të ri, do të vazhdojë të punojë në Kosovë edhe për të paktën dy vjet të tjera, kanë deklaruar burime të gazetës “Tribuna”.
Sipas këtyre burimeve, ky mision nuk do t’ua dorëzojë të gjitha kompetencat ekzekutive institucioneve vendase, siç pretendohet në një draft-strategji të Qeverisë së Kosovës, e cila i është prezantuar Brukselit nga ministrat Hajredin Kuçi e Bajram Rexhepi.
Ministritë që i drejtojnë Kuçi dhe Rexhepi, këto ditë kanë qenë të mbyllura për deklarime për mediat në lidhje me këtë çështje. Mirëpo, burime ndërkombëtare në anën tjetër kanë thënë se Qeveria e Kosovës i kishte ofruar BE-së propozimin që EULEX-i t’i mbyllë rastet në procedurë e sipër dhe të mos hapë raste të reja, ngaqë këtij misioni pretendonte t’ia zhvishte të gjitha kompetencat ekzekutive, shkruan “Tribuna”.