Etnonacionalizmi në Kosovë: Një narrativ i rrezikshëm i ushqyer nga politika
Etnonacionalizmi në Kosovë është në rritje dhe ai u atribuohet politikanëve si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, të cilët ushqejnë narrativë kundër paqes, thonë ekspertët. Për pasojë, thonë ata, në shoqëri ka përçarje të thella, të cilat mund të çojnë në dhunë ndëretnike. Ndaj, “angazhimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare” në dialog ka…

Lajme
Etnonacionalizmi në Kosovë është në rritje dhe ai u atribuohet politikanëve si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, të cilët ushqejnë narrativë kundër paqes, thonë ekspertët. Për pasojë, thonë ata, në shoqëri ka përçarje të thella, të cilat mund të çojnë në dhunë ndëretnike. Ndaj, “angazhimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare” në dialog ka rëndësi të jashtëzakonshme, ashtu sikurse “puna e paanshme e policisë dhe puna me popullatën vendase”. Etnonacionalizmi është një formë e nacionalizmit e bazuar kryesisht në përkatësinë etnike.
Në orët e mbrëmjes të 17 shkurtit, ditën kur Kosova festoi 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Serbia, një grup të rinjsh shqiptarë, kryesisht të mitur, marshuan nëpër qendrën e Mitrovicës së Veriut – të banuar me shumicë serbe – me flamuj të Shqipërisë.
I inkurajuar nga kjo lëvizje, politikani vendas, Aleksandar Arsenijeviq, mori flamurin e Serbisë dhe kaloi me makinë në pjesën jugore të Mitrovicës, të banuar kryesisht me shqiptarë.
Serbia, dy ditë më herët, kishte shënuar ditën e saj të shtetësisë. Dhe, Arsenijeviq tha se e festoi atë, ashtu siç festuan shqiptarët ditën e tyre.
Disa prej tyre përfunduan në polici, ku iu morën deklaratat, por jo lidhur me flamurin.
Gëzim Visoka, profesor në Departamentin e Studimeve të Paqes dhe Konflikteve në Fakultetin Juridik të Kolegjit Universitar të Dublinit, thotë se incidentet e izoluara ndëretnike, si ky, tregojnë për “ndikimin e kufizuar të përpjekjeve të deritashme në këtë çështje”.
Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, ai shton se incidentet ndëretnike janë, gjithashtu, pasojë e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura për shtetësinë, e rivalitetit gjeopolitik dhe e së ardhmes së paqartë euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politika të Demokratizimit, me qendër në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkak i rritjes së etnonacionalizmit në Kosovë është edhe “përshkallëzimi i përgjithshëm” i situatës mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas tij, në këtë fenomen ndikon, gjithashtu, përkeqësimi i marrëdhënieve mes Prishtinës zyrtare dhe strukturave politike nga komuniteti serb, si dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes institucioneve të Kosovës dhe pjesëtarëve të komunitetit serb.
Kush është përgjegjës për rritjen e etnonacionalizmit?
Weber kujton se tensionet etnike në Kosovë janë rritur prej se serbët janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, me qëllim që ta pengonin Qeverinë e vendit nga heqja e targave serbe dhe zëvendësimi i tyre me targa të Republikës së Kosovës.
Siç shton ai, marrja e pushteteve lokale në veri nga kryetarët shqiptarë, veprimet e Policisë së Kosovës në këtë zonë, mbyllja e institucioneve serbe “pa ofruar zgjidhje për dëmet e shkaktuara socio-ekonomike” – që të gjitha kanë reflektuar në marrëdhëniet ndëretnike në nivel qytetar.
Kryetarët shqiptarë u vendosën në krye të komunave me shumicë serbe në veri në maj të vitit 2023, pasi serbët i bojkotuan zgjedhjet lokale, me ftesë të Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Tensionet arritën kulmin në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri dhe vrau një polic.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, nisi mbylljen e institucioneve që vepronin në kuadër të sistemit të Serbisë, me arsyetimin se puna e tyre ishte e paligjshme.
Lëvizjet e tilla u kundërshtuan nga komuniteti serb dhe u kritikuan ashpër nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së.
Visoka thotë se ndër faktorët kryesorë për rritjen e etnonacionalizmit në Kosovë, është fakti se elitat politike ushqejnë narrativë kundër paqes.
Gjithashtu, çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë “vetëm se e minojnë vullnetin e lidershipit të Kosovës për t’u angazhuar në dialog me serbët vendas – gjë që e pengon edhe integrimin e komunitetit serb në shoqëri”, thotë Visoka.
“Derisa të zgjidhet çështja e njohjes, aktorët, strukturat dhe narrativët kundër paqes si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, do të vazhdojnë t’i thellojnë ndarjet dhe konfliktet etnike. Në këtë kontekst, konceptet e paqes, drejtësisë dhe pajtimit janë të lidhura ngushtë me identitetin etnik dhe narrativët e formuar nga qeveritë e të dyja palëve”, thekson Visoka.
Ai shton se edhe organizatave që mbrojnë paqen, u mungon një vizion i fortë dhe i unifikuar – gjë që, siç thotë, i bën ato “të cenueshme ndaj presionit të elitave politike nacionaliste, medias dhe opinionit publik”.
“Shumë OJQ serbe refuzojnë të njohin pavarësinë, dokumentet dhe simbolet e Kosovës, duke krijuar kështu pengesa të mëtejshme për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe OJQ-të shqiptare që punojnë për pajtimin”, thotë Visoka.
Sipas tij, aktivitetet e shumta të sektorit serb dhe atij shqiptar janë të fshehura “nga opinioni” dhe kjo mungesë transparence ndikon negativisht në imazhin rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës.
Sektori civil mbi etnonacionalizmin
Organizata joqeveritare, Sbunker, e cila promovon vlerat demokratike në Kosovë dhe në rajon, prezantoi në fund të janarit një studim të titulluar “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: Tendencat, sfidat dhe kundërmasat”, i cili gjithashtu tregon për rritjen e etnonacionalizmit dhe kontributin e tij në ndarjet në shoqëri.
Sipas këtij hulumtimi, intervistat dhe fokus-grupet treguan se te të rinjtë shqiptarë, nacionalizmi ka karakter më mbrojtës – ai fokusohet në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe kërkimin e drejtësisë për të kaluarën, më shumë se në përjashtimin e grupeve të tjera etnike.
Hulumtimi tregoi, gjithashtu, se ekstremizmi etnonacionalist në mesin e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, është shndërruar në “kërcënim të madh për sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Si shembull përmendej fakti se disa individë ishin pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat Kosova i shpalli terroriste dhe i akuzoi për planifikim të “shkëputjes” së veriut të Kosovës.
Përndryshe, këto tensione kulmuan në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, afër Zveçanit, dhe vrau një polic.
Hulumtimi i Sbunker-it tregoi, gjithashtu, se këto tensione në veri të Kosovës kontribuojnë në ndarjet mes komunitetit shqiptar dhe atij serb dhe se Kosova vazhdon të përballet me pengesa të konsiderueshme për t’u bërë një shoqëri vërtet gjithëpërfshirëse.
Një nga pengesat më të mëdha, sipas hulumtimit, është zbatimi jokonsekuent i dispozitave kushtetuese nga autoritetet shtetërore, sidomos kur bëhet fjalë për respektimin e simboleve kryesore kombëtare të Kosovës, siç është flamuri.
Gjithashtu, organizatat e shoqërisë civile serbe nga veriu i Kosovës – Iniciativa e Re Sociale, Qendra për Veprim Afirmativ Social, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, Aktiv, dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike – theksuan në studimin e tyre “Etnizimi i Policisë së Kosovës”, të publikuar në dhjetor të vitit 2024, se pjesëtarët e policisë, në uniformat e tyre, nxjerrin në pah simbolet e Shqipërisë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tyre, një gjë e tillënuk kontribuon në paqe dhe tolerancë, por, përkundrazi, përforcon përçarjet dhe tensionet ekzistuese.
“Prandaj, nëse duam zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, në dritën e normalizimit të marrëdhënieve, që synon ruajtjen e karakterit multietnik të Kosovës, çështja e sigurisë së komunitetit serb duhet të jetë në qendër të saj, ose e integruar në zgjidhjen në kuadër të vetëqeverisjes së komunitetit serb. Kjo zgjidhje duhet të mbështetet në Kushtetutën e Kosovës dhe në Marrëveshjen e Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë]”, thuhet në studim.
Policia pa përgjigje
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Policia e Kosovës në lidhje me studimin e sektorit civil serb, por nuk mori përgjigje.
Policia nuk iu përgjigj as pyetjes se sa ishte numri i incidenteve me motive etnike në Kosovë gjatë vitit 2024 dhe çfarë është duke bërë ajo për t’i parandaluar ato.
Të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2023, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, treguan se ka pasur rritje të numrit të incidenteve me motive etnike në Kosovë atë vit, krahasuar me vitet paraprake.
Visoka beson se Policia e Kosovës mund të luajë rol kyç në promovimin e tolerancës më të madhe ndërmjet komuniteteve, duke “u angazhuar në mënyrë aktive në parandalimin e incidenteve, duke siguruar zbatimin e drejtë të ligjit dhe ndërtimin e besimit mes të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë”.
“Puna e drejtë dhe e paanshme e policisë, pa manipulime politike, është thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut dhe të legjitimitetit demokratik. Angazhimi me komunitetet lokale në veri të Kosovës në veçanti, është jetik për ndërtimin e besimit dhe adresimin e dezinformatave dhe manipulimeve politike, që duket se janë të përhapura në rajon”, thotë Visoka.
Çka thonë qytetarët?
Millani nga Mitrovica e Veriut beson se etnonacionalizmin, së voni, e kanë “sforcuar” kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Populli nuk është përgjegjës për asgjë. Ne përpiqemi të jetojmë në paqe dhe harmoni, por duket se është e pamundur”, thotë ai.
Ai thotë se mbështet shkuarjen e Arsenijeviqit në Mitrovicë të Jugut me flamur serb, sepse, siç shprehet, ajo ishte përgjigje ndaj ngritjes së flamujve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut.
“Nëse ata mund ta bëjnë, mundemi edhe ne”, thotë Millani.
Miodragu, gjithashtu nga Mitrovica e Veriut, thotë se vëren rritje të etnonacionalizmit dhe, sipas tij, përgjegjës për këtë janë politikanët nga Kosova dhe Serbia, të cilët shpesh përdorin “gjuhë të urrejtjes”.
Sipas tij, ishte fat i mirë që nuk ndodhi ndonjë incident më i rëndë më 17 shkurt, kur “u parakalua” me flamuj shqiptarë në Mitrovicë të Veriut.
“Gjithçka mund të kishte ndodhur. Nuk e di se kush do të ishte përgjegjës në atë rast. Edhe në Graçanicë u ekspozuan flamujt shqiptarë dhe jo të Kosovës. Ky është provokim për serbët. Ata, pastaj, i ngrenë flamujt e tyre dhe kështu vazhdon përgjithmonë”, thotë Miodragu.
Sulejmani, në anën tjetër, beson se etnonacionalizmi është më i theksuar te serbët, sepse “ata nuk duan të jetojnë me shqiptarët”.
Ai jeton në Mitrovicë të Jugut që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, por vazhdon të ketë pronë në Mitrovicë të Veriut, të cilën e viziton rregullisht.
Sipas tij, edhe udhëheqësit politikë në Kosovë dhe në Serbi janë duke kontribuuar në masë të madhe në rritjen e etnonacionalizmit.
“Ata janë përfitues, edhe këtu, edhe atje. Atyre nuk u interesojnë njerëzit. Do të na shtyjnë të gjithëve në humnerë”, thotë Sulejmani.
Abiti, i cili vjen nga Mitrovica e Jugut, por po shëtiste në pjesën veriore të qytetit, thotë se nuk e përkrah valëvitjen e flamujve shqiptarë në festën e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, vetëm politikanët kontribuojnë në etnonacionalizëm.
“Ne jemi të gjithë njerëz, vetëm se feja jonë dallon. Ne dalim, ecim, ata (serbët) atje, ne (shqiptarët) këtu. Nuk ka probleme. Politika nuk është e mirë”, shprehet ai.
Si të parandalohet apo shtypet etnonacionalizmi?
Weber nuk e përjashton dhunën ndëretnike nëse vazhdon “rritja e mëtejshme e tensioneve ndëretnike në mesin e qytetarëve të Kosovës”.
Ai thekson se për të luftuar etnonacionalizmin, të cilin e cilëson si një “trend negativ dhe të rrezikshëm”, është e nevojshme që të përmbyset rrënjësisht dinamika politike, pra që vendet perëndimore “të angazhohen seriozisht në dialogun politik”.
“Të pranohet se Marrëveshja Bazë dhe ajo e Ohrit janë të vdekura, se në thelb nuk kanë ekzistuar dhe të shkohet drejt një rivendosjeje thelbësore të dialogut politik, drejt negociatave të vërteta për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e cila do të merrte parasysh interesat dhe nevojat themelore të qytetarëve”, thotë Weber.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia pranuan propozimin e BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që për publikun u bë i njohur si Marrëveshja Bazë dhe Marrëveshja e Ohrit.
Megjithatë, pothuajse asgjë prej këtyre marrëveshjeve nuk u zbatua në terren.
Visoka thotë se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në ndërtimin e një “agjende të përbashkët paqeje” dhe në “nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve”, në mënyrë që të parandalohet ose të luftohet etnonacionalizmi.
Ai shton se forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes agjencive qeveritare dhe organizatave të avokimit të paqes, do të përmirësonte koordinimin dhe do të ofronte përgjigje për incidentet e motivuara etnikisht.
Sipas tij, duhet të iniciohet edhe një diskutim për paqen, i ndarë nga narrativi politik, ndërsa organizatat që promovojnë paqen, duhet të jenë të pavarura nga përkatësitë politike.
“Përveç kësaj, nismat e pajtimit duhet të largohen nga ndarjet etnike dhe të fokusohen në vlerat universale të drejtësisë dhe pajtimit. Të gjitha këto synime mund të adresohen përmes krijimit të një këshilli kombëtar për paqe dhe pajtim, ose një organi të ngjashëm, që do të funksiononte si një mekanizëm ombrellë për zgjidhjen e çështjeve urgjente ndëretnike dhe gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe të shpejta për problemet e izoluara ose sistematike, që mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin në vend”, thekson Visoka.
Si është situata në rajon?
Në një panel diskutimi në kuadër të konferencës “E djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Prishtinë në fund të janarit, ekspertët thanë se grupet e krahut të djathtë veprojnë në të gjitha vendet e rajonit.
Sipas tyre, gjithnjë e më shumë të rinj kanë pikëpamje ekstremiste dhe përqafojnë ideologji të krahut të djathtë.
Jasmina Llazoviq, nga Fondacioni Heartefact në Beograd, tha se disa nga këto grupe të krahut të djathtë në Serbi, janë të regjistruara edhe si organizata politike, dhe si shembull përmendi partitë Zavetnici dhe Dveri.
Mirza Bulubashiq, ligjërues në Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës, tha se ka shumë grupe të krahut të djathtë që e paraqesin veten si “organizata humanitare”, por, në fakt, përhapin pikëpamje ekstremiste.
Një raport i ish-komisionares për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, i titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën për një të ardhme më të mirë”, i botuar në vitin 2023, vuri në dukje se narrativët e ngjyrosur me urrejtje dhe përçarje, të cilët ishin jashtëzakonisht të fortë gjatë luftërave të viteve 1990, janë duke marrë sërish vrull.
“Ky është një kërcënim për pajtimin, madje edhe paqen, siç tregojnë ngjarjet e fundit. Mungesa e një ballafaqimi të plotë me të kaluarëne dhunshme krijon pasoja shkatërruese për respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe kohezionin social në vendet e rajonit”, thuhet në atë raport.
Aty, po ashtu, theksohet se është përgjegjësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të tyre, për t’i ringjallur përpjekjet për t’u ballafaquar me të kaluarën e dhunshme, përmes gjyqeve për krime lufte, kërkimit të personave të zhdukur dhe dëmshpërblimeve.
Promovimi i ndërveprimit mes të rinjve nga komunitete të ndryshme dhe vende të ndryshme, sipas raportit, duhet të jetë prioritet. REL