Eskalon situata në Azerbajxhan, dy tifozë të lënduar para finales mes Chelseat dhe Arsenal

Dy tifozë kanë mbetur të lënduar pas një përleshje që pati mes tifozëve të Chelseat dhe Arsenali, disa orë para fillimit të finales  të Ligës së Evropës mes këtyre dy klubeve.

Sport

29/05/2019 13:13

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për media i Ministrisë së Shëndetësisë të Azerbajxhanit, Parviz Abubekirov, i cili ka thënë se një tifoz është shtruar në spital pasi e ka një plagë në kokë dhe ka mbetur pa vetëdije pas përleshjes mes tifozëve.

Abubekirov shtoi se një burrë me nënshtetësi ruse u lëndua dhe u trajtua në po të njëjtin vend, megjithatë më pas u mor vesh se ai nuk kishte të bënte aspak me incidentin që ndodhi mes dy tifozërive, transmeton lajmi.net.

Ajo çka ia ka humbur pak a shumë hijeshinë kësaj finale mbetet mos udhëtimi i shumtë i tifozëve anglezë drejt Bakut, për shkak të çmimeve të larta të udhëtimit.

As Arsenali e as Chelsea nuk arritën t’i shesin 6 mijë biletat që ua kishte dhënë UEFA për tifozët respektiv.

Megjithatë, stadiumi pritet të jetë i mbushur për shkak të tifozëve që kanë të dyja ekipet në Azerbajxhan, Rusi e Azi Juglindore. /Lajmi.net/