Është kopje, është kopje

Vetëvendosje akuzon Isa Mustafën se po i kopjon planet për çerdhet në Komunën e Prishtinës. Dardan Sejdiu thotë se Mustafa, për gjashtë vjet, nuk ka ndërtuar asnjë çerdhe në Kryeqytet.

Lajme

12/10/2013 15:49

Në dy ditët e fundit, Isa Mustafa është marrë shumë me premtimet për hapjen e çerdheve publike dhe ndërtimin e shkollave.

Premtimet e Mustafës kanë ardhur një ditë pasi pretendenti nga Lëvizja Vetëvendosje për t’u ulur në karrigen e tij të Kryetarit të Prishtinës e bëri të njëjtën gjë.

Vetëvendosje thotë se Kandidati i LDK’së “po kopjon dobët në mungesë të planit”.

Dardan Sejdiu, Shef i Shtabit Zgjedhor të Vetëvendosjes për Prishtinën, thotë se nëse kandidati i LDK’së për 6 vjet nuk ka qenë në gjendje të krijojë asnjë vend në çerdhe publike për asnjë fëmijë, si mund t’i besohet që këto do t’i krijojë gjatë katër vjetëve të ardhshme.

“Nëse për 6 vjet ai nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë problemin e ujit, si mund t’i besojmë që këto do t’i zgjidhë për katër vjetët e ardhshëm”.

“Sikurse me çështjen e ujit, kur ne prezantuam zgjidhjet konkrete me afate kohore, pra me plan dinamik të zgjidhjes së këtij problemi, që e rëndon Kryeqytetin tashmë 14 vjet, e njëjta po përsëritet edhe pasi prezantuam planin për zgjidhjen e problemit të çerdheve publike në Kryeqytet, problem ky që rëndon secilën familje të re në Prishtinë”.

“Për ujin, ky kandidat, një herë na tha se nuk është kompetencë e Komunës. Pastaj, dy ditë më vonë, i njëjti foli për investime në ujë. Tash e njëjta gjë po përsëritet edhe me çështjen e çerdheve”, tha Sejdiu.

Të enjten, Shpend Ahmeti kishte premtuar për çdo 2500 banorë do të ketë një çerdhe në Prishtinë.