Escobar: Jemi të fokusuar te finalizimi i marrëveshjes, jo te nënshkrimi
Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka folur sërish rreth negociatave Kosovë – Serbi, gjegjësisht takimit në Maqedoninë Veriore, që edhe po vazhdon aktualisht. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Escobar ka thënë se për këtë nuk po punojnë për të pasur nënshkrim, por zbatim të aneksit që ka dalë nga marrëveshja…

Lajme
Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka folur sërish rreth negociatave Kosovë – Serbi, gjegjësisht takimit në Maqedoninë Veriore, që edhe po vazhdon aktualisht.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Escobar ka thënë se për këtë nuk po punojnë për të pasur nënshkrim, por zbatim të aneksit që ka dalë nga marrëveshja e arritur në takimin e fundit në Bruksel, përcjell lajmi.net.
Ai ka ripërsëritur faktin se po punojnë pambarim për një finalizim të marrëveshjes.
“Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim [të marrëdhënieve]. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike”.
Sipas tij, gjendja aktuale në kontinentin e vjetër përballet me rreziqe të mëdha, madje më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore, andaj një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, është e domosdoshme.
“Jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore”.