Erjoni vazhdon të mbetet në Siri, vogëlushja franceze i kthehet së ëmës

Është dita e katërt që Erjon Zena po mungon në bankat shkollore, po u mungon shokëve dhe mësueses. E më shumë se askujt tjetër po i mungon nënës së tij, Pranvera Abazi, e cila me padurim pret dhe lutet që djali i saj t'i kthehet. Një vogëlushe franceze, ndërkaq, pati fat, dhe iu kthye së ëmës.   

Bota

04/09/2014 18:44

Erjoni, në vend që të dëgjojë zërin dhe të ndjejë dashurinë e nënës, po merr frymë dhe po rritet mes xhihadistëve në Siri. Është pikërisht babai i tij ai që pa pyetur bashkëshorten e tij, Pranverën, e mori vogëlushin me vete në Siri, për të luftuar kundër forcave të Bashar Al-Assadit.

Fatin pothuajse të njëjtë me Erjonin e kishte edhe vogëlushja nga Franca, Assia Bullara, e cila për disa muaj rresht zgjohej nën “tingujt” e bombardimeve dhe krismave të shumta.

Pas flet-arrestit ndërkombëtar, babai i Assias, Gabriel Versini- Bullara është arrestuar vikendin e kaluar bashkë me vajzën në Turqi.

Të mërkurën, rreth orës 14:00, në bazën ajrore në Villacoublay afër Parisit, me një aeroplan të Ministrisë së Brendshme të Francës, mbërritën ëmë e bijë për tu kthyer në shtëpi.

“Ardhja e Meriam Rhaiem dhe vajzës së saj Assia është një moment i emocionit të madh, pas muajve të pritjes”, tha ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, i cili shkoi atje për ta pritur aeroplanin.

E ëma e Assias, 25 vjeçe, zuri kryetitujt e gazetave në muajin mars me një apel emocional për autoritetet franceze për ta njohur vajzën e saj të vogël si “pengun më të ri francez”.

Rhaiem, e cila mbante vajzën të mbështjellë me një batanije dhe e përcjellë nga avokati i saj, i cili gjithashtu ishte në Turqi, nuk bëri asnjë koment.

Sipas avokatit të Rhaiem, Gabriel Versini- Bullara, burri i saj ishte bërë radikal pasi kishte udhëtuar në Mekë dhe kishte kërkuar nga ajo që të mbulohej, kishte kritikuar atë pse punonte dhe përpiqej ta ndalonte që të luajë muzikë me Assian.