Erdoganit i reagojnë nga Serbia

Deklarimet e Recep Tayyip Erdogan se “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë” kanë aktivizuar Beogradin zyrtar. MPJ e Serbisë ka reaguar duke thënë se është e papranueshme që deklarime të tilla të bëhen “në territorin e Serbisë”.

Lajme

24/10/2013 17:41

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë i ka gjykuar ashpër deklarimet e Kryeministrit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan të bëra një ditë më parë gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Në një komunikatë për media të kësaj Ministrie thuhet se “nuk duhet toleruar” të bëhen deklarata të tilla të një zyrtari të huaj në, siç thonë ata, në territorin e Serbisë, duke aluduar në Kosovë.

“Deklarata të tilla të bëra në Republikën e Serbisë nuk mund të kuptohen si deklarata miqësore. Ato nuk përputhen me besimin të cilin ne e kemi me zyrtarët më të mëdhenj turq”, thuhet në këtë komunikatë, transmetojnë mediat serbe.

“Të gjithë ne e dimë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb. Një gjë të tillë e dinë edhe ata të cilët e kanë pranuar një shtet të tillë”.

Erdogan, gjatë vizitës së djeshme në Prizren ka thënë që “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë” dhe se Kosova e Turqia kanë të njëjtën histori dhe civilizim.

Të mërkurën, Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë marrë pjesë në inaugurimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe kanë realizuar një vizitë në qytetin e Prizrenit.