Erdogan mbërrin në Tiranë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po qëndron për vizitë në Shqipëri. Me ceremoni zyrtare Erdogan të enjten u prit nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Të dy krerët e shteteve fillimisht do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, dhe më pas do t’u bashkohen edhe delegacionet nga të dyja palët. Më vonë, Erdogan…

Lajme

10/10/2024 12:07

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po qëndron për vizitë në Shqipëri. Me ceremoni zyrtare Erdogan të enjten u prit nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Të dy krerët e shteteve fillimisht do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, dhe më pas do t’u bashkohen edhe delegacionet nga të dyja palët.

Më vonë, Erdogan pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama. Kurse, më pas do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi dhe në përfundim të saj pritet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve që lidhen me arsimin, bujqësinë dhe median.

Marrëveshja për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në janar të vitit 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në shkurt të këtij viti.

Në Ankara, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama atje më 20 shkurt, u nënshkruan gjashtë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushën e mjedisit, bujqësisë, medias dhe ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi në mars të këtij viti gjatë një fjalimi në Kuvend, se Turqia është një shtet ‘me të cilin kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e sigurisë mbrojtjes dhe emergjencave civile’.

Ai bëri të ditur se aktualisht është duke u zbatuar mbështetja e grantit prej 100 milionë lirash turke për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe se mbi këtë marrëveshje u siguruan edhe tre dronët Bayraktar.

Prej ardhjes në pushtet të partisë Socialiste, kryeministri Rama e ka cilësuar Turqinë partner strategjik dhe ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë.

Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.

Rreth mesditës, presidenti Erdogan dhe kryeministri Edi Rama pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Ndërkaq, ceremonia e përurimit të xhamisë së Namazgjasë do të mbahet pasdite, para orës 17:00.

Në këtë ceremoni të rëndësishme për besimtarët myslimanë, nuk do të marrë pjesë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, dhe as drejtues të tjerë. Komuniteti do të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili do të jetë edhe drejtues i xhamisë së Namazgjasë.

Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.

Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk, Erdogan. Ai pati deklaruar në atë kohë se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.

Punimet u tha se do të përfundonin për tre vjet, por u deshën rreth nëntë vjet që xhamia të përurohet.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë. Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave etj./REL/