Erdogan kërcënon SHBA me mbylljen e bazave të saja ushtarake në Turqi

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka konfirmuar sot se vendi i tij mund të mbyllë bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së nëse kjo e fundit vendos sanksione kundër Ankarasë zyrtare.

Bota

15/12/2019 21:25

“Varet nga ne që të marrim vendimin për mbylljen e bazës së Ingirlik për Shtetet e Bashkuara. Nëse është e nevojshme, ne do të mbyllim të dyja bazat në Ingirlik dhe Kurezik”, tha Erdogan për televizionin A haber.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme për të dy palët që SHBA të mos ndërmarrë hapa që më pas do të ishte e pamundur të korrigjoheshin.

“Sigurisht, Turqia do t’i përgjigjet çdo sanksioni amerikan”, tha Erdogan.

Elementet e sistemit evropian të mbrojtjes raketore janë instaluar në bazën e Kurezik.

Edhe ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu njoftoi gjithashtu se Ankaraja mund të kërkojë nga SHBA që të tërhiqnin trupat e saj nga bazat e forcave ajrore, nëse Uashingtoni vendos sanksione për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse S-400, transmeton KosovaPress.