Erdhën nga Turqia në Kosovë, policia kap 375 mijë euro të falsifikuara në Mamushë

Policia e Kosovs këa kapur 375 mijë euro fallco të cilat dyshohet se përmes postës nga Turqia kanë hyrë në Kosovë.

Lajme

03/04/2021 09:51

Gjatë ditës së djeshme në ora 14:30, pakoja është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishin të destinuara këto para, shkruan lajmi.net.

Personat e dyshuar të cilët e kanë shoqëruar të njëjtin janë arrestuar në flagrancë nga policia e Kosovës.

Si provë materiale janë sekuestruar 375 mijë euro dhe 6 telefona celularë ndërsa pesë persona janë dërguar në mbajtje.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) ka pranuar informacione nga Dogana e Kosovës për një pako të dyshuar, e cila përmes postës nga Turqia ishte dërguar për në Kosovë, saktësisht në Mamushë. Në këtë pako dyshohej se kishte ‘para’ që mund të ishin të falsifikuara. DHKEK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe kjo pako ka qenë nën masat e vëzhgimit deri në destinacionin e caktuar.

Më, 02.04.2021 rreth orës 14:30 sipas procedurave kjo pako është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishte destinuar, i cili ishte në shoqëri edhe të disa personave të tjerë. Më pastaj, policia ka reaguar dhe të gjithë personat qe janë ndërlidhur me ketë rast janë arrestuar ne flagrancë.

Si provë materiale, hetuesit policorë kanë sekuestruar 375,000.00 (treqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) euro, bankënota nga 100 euro dhe 50 euro, si dhe 6 (gjashtë) telefona celular të personave të dyshuar.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prizren, 5 (pesë) persona të dyshuar dërgohen në mbajtje, kurse 1 (një) lirohet në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/