Endoskopia gastrointestinale tani aplikohet edhe në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, nuk ka nevojë më për të kryer këtë shërbim jashtë vendit

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar për një zhvillim të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë pediatrike, duke bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale. Sipas njoftimit, ky avancim është bërë i mundur pas furnizimit me pajisjet e nevojshme, përfshirë kolonoskopin…

Lajme

01/04/2026 11:03

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar për një zhvillim të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë pediatrike, duke bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale.

Sipas njoftimit, ky avancim është bërë i mundur pas furnizimit me pajisjet e nevojshme, përfshirë kolonoskopin dhe gastroskopin, si dhe pas trajnimit profesional të stafit mjekësor. Disa nga mjekët janë trajnuar në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, konkretisht në Njësinë e Endoskopisë.

“Procedurat e para janë realizuar gjatë vitit 2024 me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa më pas janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve të Klinikës së Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndërklinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë arritur t’i kryejnë këto procedura në mënyrë të pavarur dhe me sukses”, ka njoftuar ShSKUK.

Sipas tyre, gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, të cilat përfshijnë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe ezofagu distal, dilatime të ezofagut, si dhe gastroskopi dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.

“Një nga arritjet më të rëndësishme është mundësimi i vendosjes së PEG-ut për pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, gjendje që shpesh lidhet me çrregullime neurologjike kongjenitale apo pasoja nga trauma. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit, ndërsa tani kjo procedurë realizohet brenda Kosovës, duke lehtësuar ndjeshëm trajtimin dhe kostot për familjet e tyre”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: