Ende pa u përuruar, bëhen “troshë” xhamat mbi Platonë e Kurrizit/ FOTO

Më 8 qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kishin nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen “Dardania” në vlerë prej 948 mijë e 825 euro, por tenderi ishte rritur edhe për rreth 1 milion euro. Punimet ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune. Por, ato zgjatën disa vite. Madje, nuk dihet nëse punët janë kryer kundruall kontratës, pasi shumë pozicione kanë filluar të dëmtohen shumë shpejtë.

Lajme

28/08/2018 15:32

Në Komunën e Prishtinës është formuar një komision i cili do të inspektoj punimet e platos së “Kurrizit” në kryeqytet, me qëllim të evidentimit të ngecjes së punës në këtë projekt për më shumë se tri vite.

Për këtë projekt nuk është bërë as pranimi teknik, por lajmi.net ka gjetur se shumë pllaka të xhamit janë thyer akoma pa u bërë pranimi teknik i Bulevardit mbi Kurriz.

Rreth 30 pllaka janë të thyera dhe të krisura të cilat u vendosën në krahun e djathtë të paltosë e cila nga shtatorja e Bill Klinton të dërgon për Posta e Kosovës.

Lajmi.net nuk ka mundur të marr një përgjigje nga organet komunale lidhur me atë, nëse do të bëhet ndërrimi i pllakave me të reja, dhe se cilat janë masat që mos të thyhen dhe tjerat. Arsyet e krisjes së tyre nuk dihen, por është shfaqur rreziku për banorët që kalojnë në atë pjesë dhe për disa që banojnë në afërsi të pllakave tek ndërtesat tre katërshe.

Në këtë plato janë të vendosura edhe dy fontanta, ku rregullimi i njërës nga to nuk ka përfunduar, derisa të dy fontanat janë të mbushura me mbeturina. Po ashtu platoja nuk po mirëmbahet nga askush, dhe gjelbërimi dhe pisha janë tharë. Në shumë pjesë edhe skajoret kanë filluar të zhveshën.

Tenderin për Ndërtimin e Bulevardit e pati fituar kompania “Rexha”, me pronar Samir Rexha. Kjo kompani ka blerë pllakat dhe kubëzat nga kompania “R.U.B.”, ku bashkëpronar ishte edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Jusuf Ulaj, bashkëshorte e të cilit është motra e pronarit të kompanisë Rexha. Po ashtu, kjo kompani ka e ka bërë edhe ndërtimin e sheshit tek Komuna e Prishtinës. Ndërsa, që nga operimi i sajë, në Komunën e Prishtinës ka fituar rreth 15 tender. /Lajmi.net/