Emisarja britanike: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi kërkon veprim, jo zgjidhje magjike
E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka deklaruar se zgjidhja e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kërkon ndonjë formulë të re apo ndonjë “zgjidhje magjike”, por zbatim të marrëveshjeve që tashmë ekzistojnë. Gjatë një interviste për BBC-në në gjuhën serbe, Pearce theksoi se palët kanë në dorë mjetet…

Lajme
E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka deklaruar se zgjidhja e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kërkon ndonjë formulë të re apo ndonjë “zgjidhje magjike”, por zbatim të marrëveshjeve që tashmë ekzistojnë.
Gjatë një interviste për BBC-në në gjuhën serbe, Pearce theksoi se palët kanë në dorë mjetet për të ecur përpara, përmes marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo ndonjë zgjidhje magjike që do të zgjidhte problemet në Bosnje e Hercegovinë apo në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.
Ajo vuri në pah rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve ekzistuese, si ato të Brukselit dhe Ohrit, që sipas saj përmbajnë ide të mira dhe konkrete.
“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përmbajnë ide shumë të mira. Ato nuk janë marrëveshje teorike, por adresojnë çështje shumë praktike si liria e lëvizjes, qasja dhe pjesëmarrja. Është jetike që politikanët t’i zbatojnë ato për të ndihmuar qytetarët dhe komunitetet”, u shpreh Pearce.
Karen Pearce mori detyrën si e dërguar speciale e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në shkurt të këtij viti, duke pasuar Stuart Peach.