Emilja Rexhepi: Vendimi i Gjykatës Supreme sulm ndaj komunitetit boshnjak

Kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi, ka reaguar pas refuzimit të ankesave nga PZAP dhe Gjykata Supreme, duke e konsideruar vendimin si një sulm të hapur ndaj të drejtave politike të komunitetit boshnjak. Sipas Rexhepit, komuniteti boshnjak është i ekspozuar ndaj përpjekjeve për dobësim dhe marrje të përfaqësimit të tij autentik. Ajo thekson…

Lajme

09/02/2026 20:43

Kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi, ka reaguar pas refuzimit të ankesave nga PZAP dhe Gjykata Supreme, duke e konsideruar vendimin si një sulm të hapur ndaj të drejtave politike të komunitetit boshnjak.

Sipas Rexhepit, komuniteti boshnjak është i ekspozuar ndaj përpjekjeve për dobësim dhe marrje të përfaqësimit të tij autentik. Ajo thekson se vendet e rezervuara për pakicat, të garantuara nga Kushtetuta e Kosovës (neni 64 dhe 57), janë mekanizëm për mbrojtjen e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë, dhe çdo devijim nga ky parim përbën abuzim të rëndë me sistemin dhe manipulim të mandatit të rezervuar, shkruan lajmi.net.

Rexhepi kujton vendimin e vitit 2021, kur Gjykata Supreme kishte hequr votat dhe mandatet që ishin marrë në mënyrë të kundërligjshme nga kandidatë që nuk i përkisnin komunitetit boshnjak. Sipas saj, sot po zbatohet e njëjta skemë manipulimi, por pa reagim institucional.

NDS paralajmëron se do të aktivizojë të gjithë mekanizmat juridikë dhe politikë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet ndërkombëtare, për të mbrojtur të drejtat e komunitetit boshnjak dhe funksionin real të mandateve të rezervuara.

Rexhepi thekson se nuk bëhet fjalë për polemikë politike, por për mbijetesën e parimit kushtetues dhe mbrojtjen e komuniteteve, duke paralajmëruar se nëse kjo praktikë lejohet, vendet e rezervuara boshnjake do të humbasin kuptimin e tyre real. /Lajmi.net/