Emilija Rexhepi: Do e votojmë qeverinë “Kurti”, por nuk e di a formohet

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë. Rexhepi, nuk ka dashur të komentoj fare kërkesën e deputetes tjetër boshnjake, Duda Balje për formimin e komunës boshnjake, si kusht për të votuar Qeverinë ”Kurti”. “Nuk e di, unë nuk merrem me Duda Balje, më mirë do të ishte…

Lajme

16/10/2025 12:48

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë.

Rexhepi, nuk ka dashur të komentoj fare kërkesën e deputetes tjetër boshnjake, Duda Balje për formimin e komunës boshnjake, si kusht për të votuar Qeverinë ”Kurti”.

“Nuk e di, unë nuk merrem me Duda Balje, më mirë do të ishte të merrej shteti me Baljen dhe Shehollin, s’jam e interesuar me komentuar”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër, ajo tha se do e votoj Qeverinë “Kurti”, por se nuk e di nëse do të formohet një e tillë, por që ka shpresa për këtë gjë.

“Nuk e di, shpresoj, ne do e votojmë Qeverinë”,  tha ajo për Front Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur ditë më parë për krijimin e qeverisë së re.

Në konferencën për media, ai tha se dita e fundit për ta prezantuar kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori.

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori. Shumë shpejt, qysh në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore”.

Nëse nuk ka qeveri të re, Kurti u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja.

“Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja. Gatishmëria jonë është e plotë, por një herë plani ynë është për qeverinë Kurti 3”, tha kryetari i LVV-së.