Elon Musk jep një propozim për tensionet Tajvan – Kinë
Miliarderi, Elon Musk, ka sugjeruar se tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit mund të zgjidhen nëse Pekini fiton një lloj kontrolli mbi Tajvanin. Ai i ka bërë këto komente disa ditë pasi ka prezantuar në Twitter idenë e tij për dhënie fund të luftës së Rusisë në Ukrainë. “Rekomandimi im do të ishte që…

Bota
Miliarderi, Elon Musk, ka sugjeruar se tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit mund të zgjidhen nëse Pekini fiton një lloj kontrolli mbi Tajvanin.
Ai i ka bërë këto komente disa ditë pasi ka prezantuar në Twitter idenë e tij për dhënie fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Rekomandimi im do të ishte që të krijohej një zonë e posaçme administrative për Tajvanin, diçka shumë e pëlqyeshme, por që nuk do të bënte të gjithë të lumtur”, ka thënë njeriu më i pasur në botë, gjatë një interviste për Financial Times.
Musk ka qenë duke u përgjigjur në një pyetje për Kinën, ku kompania e tij Tesla e ka një fabrikë të madhe në qytetin e Shangait, shkruan REL.
Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e tij dhe do ta fitojë kontrollin e këtij territori, qoftë edhe përmes forcës.
Qeveria e Tajvanit kundërshton ashpër pretendimet e Kinës dhe beson se ky ishull me 23 milionë banorë duhet të vendosë vetë për të ardhmen që dëshiron ta ketë.
“Është e mundshme, besoj që po, ata mund të arrijnë marrëveshje që është e përshtatshme sesa ajo e Hong Kongut”, është cituar të ketë thënë Musk.
Kina i ka ofruar Tajvanit organizimin “një shtet, dy sisteme”, pasi këtë model e përdor për Hong Kongun, mirëpo diçka e tillë nuk është miratuar.
Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk i ka komentuar deklaratat e Muskut.
Një zyrtar tajvanez i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se “Musk duhet të gjejë një këshilltar politik me vizion të qartë”.
Kur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, është pyetur për komentet e Muskut, ajo ka thënë se Tajvani është “çështje e brendshme” dhe se Pekini do të vazhdojë të punojë në parimin e ribashkimit paqësor, teksa “shkatërron” separatizmin tajvanez.