Elezi: Vetëm rezultatet nga rinumërimi do të vlejnë për shpalljen përfundimtare të zgjedhjeve

Pas vendimeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve ku më 28 dhjetor u zhvillua votimi i rregullt në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dilemat se cili rezultat do të konsiderohet përfundimtar: ai i dalë nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit apo nga procesi aktual i rinumërimit? Zëdhënësi i…

Lajme

23/01/2026 16:24

Pas vendimeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve ku më 28 dhjetor u zhvillua votimi i rregullt në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dilemat se cili rezultat do të konsiderohet përfundimtar: ai i dalë nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit apo nga procesi aktual i rinumërimit?

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se është nën kompetencë të këtij institucioni të vendosë për rinumërimin e vendvotimeve apo qendër numërimi dhe për rrjedhojë, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare zgjedhore do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit.

Për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, KQZ vendosi pas një verifikimi të kryerr në 33 vendvtime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunae të Nuëmrimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep të drejtë KQZ-së për të vendosur rinumërimin e votave në cilindo vendvotim apo qendër të numërimit. Në këtë drejtim, KQZ ka zbatuar ligjin, andaj se cili rezultat do të vlejë pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, është e qartë: në rezultate përfundimtare do të përfshihen të dhënat apo rezultatet që dalin nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi që është zhvilluar në Qendra Komunale të Numërimit”, tha Elezi.

Ndërkohë, edhe të premtën, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinuëmrimi i vendvotimeve.

“Nga 13 janari, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfshin rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh. Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, janë rinumëruar më shumë se 50% e vendvotimeve, në të cilat më 28 dhjetor është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor”, tha Elezi.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi./Lajmi.net/