Elezi: Përfundon numërimi në 13 komuna, vazhdon kontrolli i votave nga jashtë Kosovës

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas tij, deri të mërkurën në…

Lajme

10/06/2026 13:01

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas tij, deri të mërkurën në orën 09:00, procesi i verifikimit dhe numërimit është përmbyllur në 13 Qendra Komunale të Numërimit.

“Në nivel vendi, janë procesuar 1,379 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbën rreth 55 për qind të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve”, deklaroi Elezi.

Ai bëri të ditur se paralelisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës, shkruan lajmi.net.

“Qëllimi i këtij procesi është të vërtetohet nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Deri më tani janë shqyrtuar më shumë se 7 mijë pako, prej të cilave 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar”, tha Elezi.

Sipas tij, arsyeja më e shpeshtë e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument ky që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ-ja.

Elezi njoftoi gjithashtu se më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

“Tërheqja është bërë nga 23 kuti postare të KQZ-së, të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë. Nga këto kuti janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë për verifikim”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së sqaroi se para fillimit të numërimit të votave nga diaspora, votimit me kusht, votimit të personave me nevoja të veçanta dhe votimit në përfaqësi diplomatike, duhet të përfundojnë disa procedura verifikuese në QNR.

“Po bëhet skanimi i listave të votuesve të përdorura në vendvotimet e rregullta, në votimin e personave me nevoja të veçanta dhe në përfaqësi diplomatike. Qëllimi është krahasimi i të dhënave dhe evidentimi i rasteve eventuale të votimit të dyfishtë”, theksoi Elezi.

Ai shtoi se të gjitha këto aktivitete duhet të përfundojnë para se të nisë numërimi i fletëvotimeve nga këto kategori votimi, ndërsa nuk dha afat se kur mund të ndodhë kjo.

“Nuk mund të japim një datë të saktë në këtë fazë, pasi gjithçka varet nga dinamika e punës në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga procesi i verifikimit të pakove me fletëvotime që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, përfundoi Elezi. /Lajmi.net/