Elezi: Më 12 tetor nuk do të votohet në ambasada, vetëm me postë
Derisa për zgjedhjet e përgjithshme shtetasit e Kosovës që jetojnë në botë patën mundësi të votonin edhe në përfaqësi diplomatike, kjo nuk do të ndodhë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Mërgata mund të bëhet pjesë e votimit për zgjedhjet për kryetar komune e kuvende komunale vetëm përmes postës. Detajet i ka shpjeguar në një…

Lajme
Derisa për zgjedhjet e përgjithshme shtetasit e Kosovës që jetojnë në botë patën mundësi të votonin edhe në përfaqësi diplomatike, kjo nuk do të ndodhë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Mërgata mund të bëhet pjesë e votimit për zgjedhjet për kryetar komune e kuvende komunale vetëm përmes postës.
Detajet i ka shpjeguar në një intervistë për magazinën “Info Plus” të RTK-së zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Risi në këtë proces zgjedhor, e cila vjen nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga reforma zgjedhore, ka të bëjë me aspekte organizative. Njëra prej tyre është organizimi i votimit jashtë Kosovës. Pra, në këtë proces zgjedhor për zgjedhjet lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të ketë votim vetëm përmes postës, nuk do të ketë votim në përfaqësi diplomatike, sepse ky ligj e specifikon qartë se kjo mënyrë e votimit nuk aplikohet në zgjedhjet lokale. Do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ do të hapë kuti postare në shtete të ndryshme”, tregoi Elezi në RTK.
Risi tjetër, sipas tij, është se për dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur votuesit kanë shkarkuar fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së, në këto zgjedhje secili votues jashtë Kosovës duhet të presë që të marrë pakon me fletëvotime nga KQZ-ja.
“Dhe kostoja do të mbulohet nga vetë KQZ-ja, pasi kështu është vendosur në Rregulloren Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Sigurisht kjo do të ketë një kosto dhe varet nga numri i shtetasve të Kosovës që do të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, e në bazë të kësaj do të dimë sa do të kushtojë”, tha zëdhënësi i KQZ-së.
Elezi tregoi se votuesi jashtë Kosovës do të mbulojë vetëm koston e dërgimit të pakos me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së, e që do të jetë minimale.
Tutje, bëri të ditur se periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 23 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 gusht.
Elezi dha shpjegime për votuesit dhe mënyrën si votohet në procesin e zgjedhjeve lokale.
Ai tha se votimi në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal janë të pavarura. “Pra, një votues për zgjedhjet për kryetar komune mund të votojë për kandidatin e një subjekti të caktuar politik, dhe në zgjedhjet për kuvend komunal të zgjedhë një subjekt tjetër politik”.
Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, kur votuesi ka pasur mundësi të votojë dhjetë emra të kandidatëve për deputet, për asamble komunale mund të votojë vetëm një.
“Votuesi duhet të votojë vetëm një subjekt politik dhe vetëm një anëtar për Kuvend Komunal. Zgjedhjet për Kuvend Komunal dallojnë nga ato për Kuvendin e Kosovës. Votat në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë qenë deri në 10, e për Kuvendin Komunal votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat”, tregoi ai.
Ai tha se subjektet politike kanë afat t’i dorëzojnë listat nga 26 qershori deri më 13 gusht dhe secili prej emrave do të kalojë në filtrin e institucioneve përkatëse para certifikimit.