Elezi: Ka filluar publikimi i rezultateve pas verifikimit në QKN-të – Tërheqja e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës, do të bëhet së shpejti
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sot përmes një konference për media ka treguar se materialet zgjedhore pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit, janë tërhequr dhe janë sjell në Qendrat Komunale të Numërimit. Ai ka thënë se sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale numërimi i votave për kryetarë të Komunave bëhen…
Lajme
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sot përmes një konference për media ka treguar se materialet zgjedhore pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit, janë tërhequr dhe janë sjell në Qendrat Komunale të Numërimit.
Ai ka thënë se sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale numërimi i votave për kryetarë të Komunave bëhen në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formular që pastaj publikohen nga KQZ. Ndërkaq siç ka thënë Elezi, sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së për qendrat komunale, në këto qendra do të bëhet verifikimi i formularëve që janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve.
“Ky aktivitet, pra verifikimi i rezultateve ka filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit dhe do të bëhet me transparencë të plotë si dhe në prezencë të vëzhguesve. Në këto momente, në platformën e rezultateve të KQZ ka filluar të bëhet edhe publikimi i rezultateve pas verifikimit i cili po bëhet në Qendrat Komunale të Numërimit.”, ka thënë Elezi.
Ai ka thënë se përveç organizimit të votimit në 1 mijë e 628 vendvotime të rregullta, KQZ ka mundësuar edhe votimin me kusht në 20 vendvotime të tjera, votimin me kusht jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për votuesit me nevoja të veçanta, si dhe votimin jashtë Kosovës përmes postës.
Elezi ka thënë se numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i atyre të personave me nevoja të veçanta dhe i atyre jashtë Kosovës do të bëhet në QKNR pas disa ditësh.
“Sipas rezultateve preliminare, nga 20 vendvotime me kusht, në 18 komuna të vendit janë evidentuar 749 zarfe me fletëvotime. Këto fletëvotime ende nuk janë verifikuar, kjo do të ndodh pas disa ditësh pas verifikimit të listës së votuesve, proces i cili na mundëson të dimë nëse ndonjëri nga votuesit me kusht ka votuar edhe në vendvotimin e tij të rregullt. Sa i takon votimit të personave me nevoja të veçanta, sipas të dhënave janë më shumë se 1 mijë e 440 qytetarë të komunave të ndryshme që kanë votuar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve nga 2541 sa ishin të regjistruar. Sa i përket votimit me postë jashtë Kosovës, tërheqja e dërgesave postare nga 22 kutitë postare do të bëhet së shpejti gjatë këtyre ditëve. Numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës për këto 18 komuna, ishe 29 mijë e 725, aktualisht ne nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë votuar. Sigurisht që kjo do të bëhet e qartë pasi të bëhet tërheqja e këtyre pakove nga kutitë postare dhe pas procesit të verifikimit që zhvillohet në QNR”, ka thënë Elezi. /Lajmi.net/