Elezaj mohon të ketë ndikim në punësimin e nipit në KRM “Ambienti”
28 punëtorë të Shoqatës Sindale e KRM “Ambienti”, Njësia Operative në Klinë janë futur në grevë dhe e kanë bllokuar tërë punën, për shkak se menaxher është bërë Idriz Beqiri.

Lajme
28 punëtorët e Shoqatës Sindikale të KRM “Ambienti” të Pejës, Njësia Operative në Klinë janë futur në grevë për shkak të emërimit të Idriz Beqirit si menaxher.
E gjithë kjo pasi që punëtorët thonë se punësimi i Beqirit, është i papranueshëm, ngase ai ka lidhje familjare me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezajt.
Sipas një njoftimi për medie, punëtorët e kompanisë thonë se procesi i përzgjedhjes së menaxherit të ri ka qenë i montuar dhe politik dhe se Beqiri është nip i kryetarit Elezaj dhe militant i AAK-së.
Lexo edhe:
“Ambienti” në grevë, kryetari i Klinës dyshohet se e bëri nipin menaxher
Por një gjë të tillë e ka mohuar për lajmi.net, Zenun Elezaj.
Ai ka thënë se nuk është nipi i tij i afërt, por është nip i fshatit të tij.
Madje Elezaj ka thënë se nuk e njeh asnjë anëtarë të bordit të kësaj kompanie, pasi që sipas tij, drejtoria është në Pejë.
“Shiko, ai është nipi i fshatit, nuk është nip i imi i afërt edhe asnjë ndërlidhje nuk e kam. Ata (punëtorët) janë kompani publike regjionale, drejtorinë e kanë në Pejë, bordin në Pejë, as një njoh asnjë anëtarë të bordit dhe nuk e njoh askënd. Do me thanë veç po mundohen me i ndërlidh gjërat. Realisht është problem i tyre. Ju kisha lutur që ti drejtoheni Pejës për gjithçka sepse ne në Klinë nuk asnjë kompentencë me ta, nuk kemi absolut qasje me ta. Do me thënë ata nuk janë pjesë e organizimit tonë e kanë drejtorin i cili e ka zyrën në Pejë, e kanë bordin që është në Pejë. Nuk e njoh asnjë anëtarë të bordit as absolut asgjë. S’kam asnjë lidhje me ta. Po mendoj që është presion. Sidoqoftë ata i kanë pasur procedurat e vendimmarrjes, do me thënë gjithçka që duhet informatë është në Pejë. Ata po mundohen me e ndërlidh me mu, po ai është nip i fshatit ku unë jetoj”, ka deklaruar Elezaj për lajmi.net.
Ndryshe, punëtorët që kanë hyrë në grevë kanë kërkuar nga organet kompetente anulimin e vendimit për ardhjen në punë të Idriz Beqirit deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi që lënda është në procedurë gjyqësore.
Ndërsa kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. /Lajmi.net/