Elektorati duhet t’i ndëshkojë
Agron Bajrami thotë se aktualisht Qeveria është e dobët përballë Kuvendit. Sipas tij, numrat që i ka Qeveria nuk mjaftojnë për të gjitha vendimet qe merren në Kuvend. Por, megjithatë, ai nuk pret as krizë institucionale e as rrëzim të Qeverisë në këtë kohë.
Lajme
Të gjitha partitë politike, pa përjashtim, kanë drejtuar sytë nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë një matës i fuqisë politike të partive në përgjithësi, e në veçanti i forcave të mëdha politike, të cilat synojnë marrjen e pushtetit qendror, në zgjedhjet e vitit 2014.
Në varësi të rezultatit të zgjedhjeve lokale duket se do të jenë edhe hapat, të pozitës dhe opozitës, karshi zhvillimeve në nivelin qendror, ku po shfaqen shenja krize – posaçërisht në Kuvendin e Kosovës, i cili po dështon të kryejë punën e tij në mungesë të kuorumit dhe pamundësisë së krijimit të shumicës parlamentare.
Analisti Agron Bajrami thotë për lajmi.net se aktualisht Qeveria është e dobët përballë Kuvendit të Kosovës.
“Ka kohë që numrat që i ka Qeveria nuk mjaftojnë për të gjitha vendimet qe merren në Kuvend”.
“Ky rasti i fundit tregon qartë se sa e dobët është ajo karshi Kuvendit të Kosovës”.
“Qeveria e ka injoruar Kuvendin, sepse nuk dëshiron që çështja e PTK’së të hetohet përmes Komisionit Hetimor. Nuk dëshiron që në Kuvend të merren vendime, që nuk shkojnë në favor të Qeverisë”.
Me gjithë këto vështirësi, Bajrami nuk pret që Qeveria të bjerë. Thotë se rrëzimi i Qeverisë aktualisht nuk është as vullnet i opozitës.
“Nuk mendoj se me automatizëm mund të bjerë Qeveria, për shkak se rënia e saj varet nga shumica e partive opozitare. Në këtë rast, nuk mendoj se vullneti i tyre ekziston, ose më saktësisht, nuk mendoj se ekziston vullneti i LDK’së dhe AAK’së për ta bërë një gjë të tillë”.
“Rënia e Qeverisë do të nënkuptonte zgjedhje të parakohshme dhe për këtë nuk e shoh se këto dy parti janë të gatshme”.
“Ato presin që të kryhen zgjedhjet lokale dhe të shohin forcën e tyre në terren dhe pastaj do të bëhen kalkulime tjera”.
Pas Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt, PDK’së i ka ikur edhe deputeti Nijazi Idrizi, i cili i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke rrezikuar shumicën e kësaj Qeverie.
Por, me gjithë këto largime, Agron Bajrami, nuk mendon se vendi do të mund të hyjë në krizë institucionale.
“Kjo pasi që largimi i një deputeti në radhët e partive opozitare nuk do të thotë që ai deputet nuk do të votojë në favor të Qeverisë”.
“Në esencë, unë mendoj se vendimi i madh, i cili do nxirrte në pah vazhdimin e funksionimit të Qeverisë është miratimi i buxhetit. E dimë se tani do të vijë koha kur do të përgatitet buxheti dhe të dërgohet për miratim në Kuvend. Dhe, nëse aty opozita vendos që të mos e votojë buxhetin, atëherë do të pritej që Qeveria ose të japë dorëheqje ose të bjerë. Por, kjo varet edhe nga vullneti i partive opozitare”.
Bojkotimin që pozita po i bën Kuvendit të Kosovës, Agron Bajrami e sheh si degradim të përfaqësimit të popullit.
Ai pret që elektorati t’i ndëshkojë ata që nuk i kanë përfaqësuar qytetarët qysh duhet.
“Unë mendoj se në një shoqëri, në një vend demokratik dhe në një Parlament të zgjedhur nga populli, kur shumica vendos të mos marrë pjesë në debate, atëherë tregon një degradim të përfaqësimit të popullit”.
“Mendoj se është një lëvizje e pandershme dhe jodemokratike. Por, nëse nuk funksionojnë mekanizmat të cilët mund të sanksionojnë një sjellje të tillë të deputetëve dhe partive që pretendojnë se përfaqësojnë fituesin dhe popullatën, atëherë neve na mbetet vetëm t’i shohim ata”.
“Shpresoj se elektorati do t’i ndëshkojë ata të cilët nuk i përfaqësojnë si duhet, andaj mund të themi se duhet vetëm t’i presim zgjedhjet parlamentare për të parë nëse qytetarët e Kosovës do të indinjohen nga këto veprime dhe të mos i votojnë ata që nuk i kanë përfaqësuar si duhet në Kuvend”, thoto Agron Bajrami për lajmi.net.