Ekspozita e prodhimeve kosovare të drurit hapet në Gjermani

Është hapur ekspozita e prodhimeve kosovare të drurit në Shtutgard të Gjermanisë, ku në këtë inaugurim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Kosovare në Gjermani, përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë të cilët e kanë mbështetur projektin, përfaqësuesit e Konzullatës së Kosovës në Shtutgard, si dhe përfaqësues nga institucionet gjermane.

Lajme

18/06/2016 22:20

Në këtë ekspozitë pjesëmarrës ishin Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kryetari i Unionit të Biznesmenëve Shqiptar në Gjermani, Nazmi Viqaj dhe kryesia e Unionit, Gani Nuha, Zenun Krasniqi dhe Vllaznim Kelmendi.

Viqaj mbajti një fjalë rasti ku i përgëzoi tē gjithë për punën e mirë që po e bëjnë si dhe përgëzoi Arben Kelmendin për punën që po e bënë këtu në Gjermani dhe tregoi se ky sektor është shumë i nevojshëm në Gjermani.

Gjatë fjalimit të tij, Viqaj ju premtoi se Unioni ashtu siç i përkrah bizneset e tjera në Gjermani edhe këtë sektor do ta përkrah vazhdimisht në punën e tyre.

Ndërsa ministrja e Tregtisë, Bajrami uroi që hapja e kësaj ekspoziture të përhershme në Gjermani të përcillet edhe me projekte të ngjashme edhe nga sektorë të tjerë, sepse, sipas saj, tashmë pas fillimit të implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim janë hapur shumë mundësi të reja të cilat duhet të shfrytëzohen./ Lajmi.net