Eksperti i sigurisë: Kroacia heton rrjetin e spiunazhit, AKI në Kosovë hesht, punëtorët vetëm marrin rroga

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për Kosova Live, ka komentuar rastin e arrestimit të pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe nga Mitrovica, Ana Murganiq, të dyshuar për spiunazh. Sipas Elezit, është shqetësuese fakti që autoritetet kroate dhe Europoli po merren me hetimet, ndërsa institucionet e Kosovës po qëndrojnë në heshtje.…

Lajme

28/08/2025 19:37

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për Kosova Live, ka komentuar rastin e arrestimit të pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe nga Mitrovica, Ana Murganiq, të dyshuar për spiunazh.

Sipas Elezit, është shqetësuese fakti që autoritetet kroate dhe Europoli po merren me hetimet, ndërsa institucionet e Kosovës po qëndrojnë në heshtje. “Është shumë e nevojshme të dihet nëse AKI ka pasur informacione për këtë rast. Punën më të madhe po e bëjnë autoritetet kroate, ndërsa AKI dhe institucionet e tjera në Kosovë duket se po marrin vetëm paga. Po të kishin qoftë edhe pak informacione, do të kishin dalë me konferencë për media, sidomos ministri Sveçla. Heshtja na bën të besojmë se janë tërësisht të informuar,” tha Elezi.

Ai shtoi se është problematike që Kroacia nuk ka përmendur asnjë bashkëpunim me Kosovën për këtë rast, edhe pse vepra penale dyshohet se është kryer kundër Kosovës.

Vlen të theksohet se disa orë më vone se kjo deklaratë, ka ardhur edhe një reagim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka mohuar që Murganiq ka pasur lidhje me Zyrën e Kryeministrit dhe ka theksuar se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë me autoritetet kroate.