Ekspertët e LDK’së: Qeveria mashtron

LDK sfidon shifrat e ofruara dje nga Dogana e Kosovës. Avdullah Hoti thotë se Qeveria po e mashtron opinionin dhe \"kjo praktikë e mashtrimit është bërë traditë\".

Lajme

15/01/2014 17:10

Këshilli i Ekspertëve për Ekonomi në LDK ka akuzuar qeverinë se deklarimet e drejtorit të Doganave të Kosovës lidhur me të hyrat doganore gjatë vitit 2013 janë mashtrim i opinionit.

“Sipas të dhënave që ai vetë ka prezantuar, Doganat e Kosovës gjatë vitit 2013 dështuan të realizojnë planin. Në ligjin e buxhetit për 2013, të hyrat e planifikuara nga doganat ishin 915 milion euro, ndërkaq u realizuan vetëm 837 milion euro. Pra, plani nuk është realizuar për 78 milion euro, ose 8.5%.”

LDK vlerëson se është shqetësues fakti që realizimi i të hyrave në vitin 2013 është për 7 milionë më i ulët se në vitin paraprak. Thotë se drejtori i doganave nuk e ka prezantuar këtë fakt fare.

“Kjo praktikë e mashtrimit të opinionit është bërë traditë nga kjo Qeveri, e cila planifikon të hyra të larta dhe pastaj realizimi i tyre ngec.”

“Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2012, kur të hyrat nga doganat u planifikuar 875 milion euro, ndërkaq realizimi ishte vetëm 844 milion euro.”

“Kjo pritet të ndodhë edhe më 2014. Këtë vit hyrat nga doganat janë planifikuar 934 milion euro, ndërkaq në bazë të trendit aktual nuk mund të realizohen më shumë se 830 milion euro. Kjo edhe për faktin se është nënshkruar marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë.”

“LDK-ja e fton Qeverinë të rishikoi të hyrat e planifikuara nga doganat për vitin 2014 me rastin e rishikimit të të buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Planifikimi i të hyrave nga doganat për 2014 prej 934 milion euro është komplet i gabueshëm dhe i parealizueshëm me këtë trend të zhvillimit ekonomik”, thotë LDK.