Ekspertët alarmojnë: Ekonomia e Kosovës në terr, s’po del nga humnera
Inflacioni mund të mos jetë më në nivelin kulmor sikurse në vitet e fundit, por efektet e tij vazhdojnë të ndihen si nga bizneset ashtu dhe nga qytetarët. Kostot e operimit, fuqia blerëse dhe ritmi i zhvillimit ekonomik mbeten ndër temat më të diskutuara në vend. Për sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës, në emisionin…
Lajme
Inflacioni mund të mos jetë më në nivelin kulmor sikurse në vitet e fundit, por efektet e tij vazhdojnë të ndihen si nga bizneset ashtu dhe nga qytetarët.
Kostot e operimit, fuqia blerëse dhe ritmi i zhvillimit ekonomik mbeten ndër temat më të diskutuara në vend.
Për sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës, në emisionin “Ora Shtatë” foli Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
“Ata që më së shumti janë duke e pësuar, janë vetë qytetarët. Pra, përgjatë gjithë këtyre viteve, sidomos prej shkurtit të vitit të kaluar e deri më sot, qytetarët dhe ekonomia janë jetimë në këtë vend. Pra askush nuk iu ka dalë në ndihmë”, u shpreh Ahmeti në Klan Kosova.
I njëjti shtoi se nëse shteti nuk merr veprime, sipas tij, ekonomia e Kosovës po shkon drejt shkatërrimit.
Ndërsa gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi, tha se importi, kryesisht nga Serbia, sipas saj po ua pamundëson operimin bizneseve kosovare në vendin e vet.
“Importi, konkretisht prej shtetit serb, po ua pamundëson bizneseve kosovare operu në vendin e vet. Po du me u ndal te gurthyesit. Një pjesë e madhe e zhavorrit importohet prej shtetit serb, ku ka mijëra e mijëra biznese në Kosovë, të cilët mund ta zëvendësojë menjëherë”, tha Gashi.
Ajo shtoi se ekonomia e Kosovës është në një “terr nga i cili nuk po mundet me dalë”.
Nga ana tjetër, ekonomisti Bashkim Mustafa tha se viteve të fundit, sipas tij, ekonomia e Kosovës është përballur me probleme dhe sfida të shumta.
“Nuk qëndrojmë mirë. Kemi shkallë të lartë të inflacionit, kosto të lartë të jetesës dhe kosto të lartë operative e rritje të vazhdueshme të çmimeve. Kjo tregon një pasiguri të madhe, dhe qytetarit e vendit janë ata që po e pësojnë më së shumti”, u shpreh ai.