Ekskluzive: Albin Kurti centralizon vendimmarrjen e ministrive, agjencive dhe departamenteve qeveritare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka centralizuar tërësisht punën e ministrive, agjencive dhe departamenteve qeveritare, duke ua ndaluar ministrave të tij edhe implementimin, publikimin dhe procedimin e të gjitha dokumenteve që përmbajnë projekte, marrëveshje, raporte dhe të ngjashme, pa u konsultuar me zyrën e tij.

Lajme

27/02/2020 15:30

Përmes një qarkore zyrtare dërguar ministrave të tij të siguruar nga lajmi.net, e cila posedon nënshkrimin e Albin Kurtit si kryeministër, ai ka kërkuar që të njëjtat udhëzime t’u përcillen edhe zyrave të thjeshta të ministrive.

“Me këtë shkresë po ju udhëzoj që dokumentet që përmbajnë projekte, marrëveshje, raporte dhe të ngjashme të mos implementohen, publikohen dhe të procedohen pa u konsultuar me Zyrën e Kryeministrit. Po ashtu, ju udhëzoj t’i njoftoni agjencitë, departamentet dhe dikasteret e ministrive tuaja të ndjekin këtë udhëzim”, thuhet në këtë qarkore të kryeministrit Kurti drejtuar ministrave të tij.

Gjithashtu, Kurti në këtë shkresë ka kërkuar që ata që të kenë kujdes të shtuar në proceset e përzgjedhjes dhe krijimit të listave të kandidatëve të cilët janë proceduar në javët e muajt e fundit nga ana e qeverisë në dorëheqje të Ramush Haradinajt. /Lajmi.net/