Ekipi për komunikim i Speciales ka mbajtur 192 takime në Kosovë për informim rreth proceseve dhe mandatit të kësaj Gjykate

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se deri tani, ekipi për komunikim ka mbajtur 192 takime me persona të ndryshëm në Kosovë për t’i informuar për proceset dhe mandatin e Gjykatës. Griep tha se kjo realizohet me kontributin e qeverisë zvicerane. “Në sajë të kontributit bujar të…

Lajme

19/06/2025 16:04

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se deri tani, ekipi për komunikim ka mbajtur 192 takime me persona të ndryshëm në Kosovë për t’i informuar për proceset dhe mandatin e Gjykatës.

Griep tha se kjo realizohet me kontributin e qeverisë zvicerane.

“Në sajë të kontributit bujar të qeverisë zvicerane, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara udhëton në Kosovë pothuajse çdo muaj për të informuar njerëzit në Kosovë për mandatin dhe gjykimet e veta dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Deri më sot, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim ka mbajtur 192 takime të tilla me mbi 4 mijë pjesëmarrës nga mbarë Kosova”, tha Griep.

Përveç kësaj, zëdhënësja tregoi edhe për zhvillime që kanë ndodhur gjatë kësaj jave në Gjykatë, për të cilat ka raportuar edhe “Betimi për Drejtësi”.

Pra, Griep tregoi se më 12 qershor 2025, DhSK-ja dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar një marrëveshje që personat e dënuar nga DhSK-ja të kryejnë burgun në Belgjikë, varësish nga kushtet që i përcakton kryetarja e DhSK-së.

Përveç kësaj, ajo tregoi se më 15 korrik duke filluar nga ora 10:00 pritet të mbahet seanca ku do të shqiptohet aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës në Apel.

Ndryshe, një ekip i Zyrës për Informim i Gjykatës Speciale ka realizuar takim me gazetarët gjatë të mërkurës në Prishtinë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.