Ekipi negociator pa punë, në pritje të zhbllokimit të bisedimeve

18:49 | 18 Prill 2019

Drejtuesit dhe anëtarët e Ekipit negociator të Kosovës për dialogun politik me Serbinë, thonë se për shkak të mosvazhdimit të dialogut në Bruksel ndërmjet palëve, edhe puna e ekipit ka ngecur.

Ata thonë se disa nga anëtarët e delegacionit janë ende duke punuar për tema të caktuara, e disa të tjerë kanë përfunduar me punët.

Njëri nga drejtuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti, thotë se aktualisht anëtarët e delegacionit politik dhe teknik këtë kohë janë duke e shfrytëzuar për t’i bërë funksionale grupet punuese.

“Kemi përgatitur katër pozicione për katër tema të ndryshme, megjithatë po mendojmë që duhet të vazhdojmë me strategji negociuese, sepse nuk ka vazhduar procesi dhe nuk duam as që të zbulojmë, as që të kemi dokumentin që disa muaj përpara mund të na zbulojë rrugën përpara”, thotë Ahmeti.

Më 29 prill në Berlin, pritet të mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku nikoqir të takimit pritet të jenë kancelaria gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ahmeti thekson, po ashtu, se delegacioni është duke pritur se çfarë të reja mund të dalin nga ky takim edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E presim takimin e 29 prillit, për të parë se ka ide të reja apo mundësi të reja për të vazhduar dialogu, e po ashtu edhe Ligji për dialogun gjendet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim e kushtetutshmërisë. Të gjitha janë këto [zhvillime] po ndikojnë në përgjithësi, që të kemi një ritëm më të ngadalësuar të procesit të dialogut”, thekson Ahmeti.

Anëtari tjetër i Ekipit negociator, Dardan Gashi, i cili është edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se anëtarët delegacionit që kanë pasur angazhime rreth ekipit, i kanë kryer punët e tyre, e disa të tjerë janë ende duke punuar.

“Ne jemi të gatshëm që në çdo moment të fillojmë me punë në kuptim të ballafaqimit me Serbinë. Kurse, në aspekt të punëve ditore, ne kemi të gjithë punë të tjera. Ne nuk jemi të angazhuar vetëm në dialog, por dialogu është përzgjedhur një punë shtesë”, shprehet Gashi.

Përveç kryesuesve të Delegacionit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, anëtarët e tjerë të tij janë edhe Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Avni Arifi nga Zyra e kryeministrit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, Mahir Yagcilar kryetar i Partisë Demokratike Turke, si dhe Dardan Gashi.

Anëtarë të Delegacionit janë edhe Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate, për të cilët po i mbajnë vendet e rezervuara për dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Ekipi negociator ka edhe grupe punuese dhe stafin përcjellës teknik.

Punën e Ekipit negociator, përfaqësuesit e shoqërisë cilivile e shohin si jo transparente.

Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, përpos pak takimeve që delegacioni ka pasur me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe derisa procesi i dialogut nuk po vazhdon, nuk po shihet as angazhimi i Ekipit negociator.

“Nuk kemi një informacion formal zyrtar të ardhur nga delegacioni shtetëror për të treguar në fakt, se cili është tani angazhimi i tyre, çfarë janë duke bërë, cilat janë përgatitjet, të cilat janë duke bërë apo thjesht njoftim më i përgjithshëm mbi atë se çka duhet të presë Kosova tani nga ky proces dhe cili është roli i delegacionit dhe funksioni i tij në gjendjen aktuale”, thekson Krasniqi.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij ekipi.

Përfaqësues të këtyre partive nuk e kishin pranuar ftesën e presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, e as të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që t’i bashkohen Delegacionit shtetëror.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, theksojnë se Ekipi negociator i Kosovës është jolegjitim, derisa Ligji për dialogun, është antikushtetues.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e tarifës doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta pezullojnë vendimin për këtë tarifë, për t’i hapur rrugë dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Mirëpo, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ky vendim do të mbetet në fuqi, derisa Serbia ta njohë shtetin e Kosovës.