​Ekipet e përbashkëta hetimore, Hargreaves: Mbani përgjegjësi për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve

Sot, është mbajtur ceremonia e lansimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, të zbatuar nga Sustainble Criminal Justice Solutions (SCJS), për “Forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme. Një nismë e rëndësishme që synon të forcojë…

Lajme

06/03/2025 12:29

Sot, është mbajtur ceremonia e lansimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, të zbatuar nga Sustainble Criminal Justice Solutions (SCJS), për “Forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme.

Një nismë e rëndësishme që synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet departamentit të Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se është përgjegjësi e këtyre institucioneve për të mbrojtur pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Tutje ambasadori Hargreaves tha se i ka bërë përshtypje mënyra se si Kosova e realizon këtë mision. Ai theksoi se ka ende punë për të bërë, por gjithashtu theksoi se është i vetëdijshëm për synimin që kanë këto institucione për të forcuar më tej demokracinë.

“Ju jeni ata që mbani përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtat dhe për të ruajtur një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Dhe gjithmonë më ka bërë përshtypja mënyra se si ju në Kosovë, e realizoni këtë mision. Sigurisht ka ende punë për të bërë, siç e dimë nga disa nga raportet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me të cilat jeni të njohur edhe ju, ashtu siç jam edhe unë. E di që po punoni me përkushtim për çështjet e ngritura në ato raporte. Por gjithashtu e di që po e bëni këtë me synim për të forcuar më teje demokracinë”, theksoi Hargreaves.

Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial, duke falënderuar Ambasadën Britanike për ndihmën e dhënë përmes këtij projekti, theksoi se ekspertiza e ofruar, mbështetja e ofruar dhe bashkëpunimi me ekspertë vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet e mia më të sinqerta për Ambasadën Britanike që përmes projektit të saj, përveç të tjerave ka luajtur një rol kyç në hartimin e rregullores për ekipet e përbashkëte të hetimeve, akti i cili është i një rëndësie të veçante në hetimin e veprave penale të cilat bien në kompetence të prokurorisë speciale. Kontributi juaj ekspertiza e ofruar nga ekspertët e projektit, mbështetja e pa kursyer dhe bashkëpunimi me ekspert vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë përmbajtën e saktë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët.

Hoxha tha se këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve.

“Sot ne po lansojmë një iniciativë të re që do të forcoj kapacitet tona hetimore dhe do të filloj bashkëpunimin ndërinsitutcional për të arritur rezultate më të shpejta dhe efikase. Lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap tjetër në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët tanë. Ekipet e tilla do të ndihmojnë për të përmirësuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis agjencioneve të ndryshme duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe institucionet e tjera ligj zbatuese. Këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet ndërkombëtare të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve për të arritur rezultate të shpejta dhe efektive”, potencoi Hoxha.

Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve.