Efekti i filmave 3D në shëndetin tuaj

Realiteti që shfaqin filmat 3D po del të ketë efekte negative tek audienca. Duke përdorur syze 3D për të paraqitur imazhe të ndryshme për sytë, teknologjia 3D ‘mashtron’ trurin dhe e bën të besojë se është duke parë një skenë të vërtetë dhe jo një imazh në ekran.

Lifestyle

08/07/2015 13:08

Tani, kjo teknologji është vendosur edhe në pajisjet TV, që do të thotë se shikuesit mund ta përjetojnë efektin edhe në shtëpi.

Por, filmat 3D nuk janë bërë aq të pëlqyer siç është pritur. Shumë njerëz kanë thënë se shikimi i filmave 3D u ka shkaktuar atyre efekte anësore, të tilla si dhimbje koke dhe të vjella, transmeton Lajmi.net.

Shkencëtarët nuk po mund ta kuptojnë plotësisht pse po ndodh kjo, por kanë disa shpjegime. Është e vërtetë se efektet 3D mund të shkaktojnë dhimbje koke, parehati dhe huti, thonë ata.

Megjithatë, krijuesit e këtyre efekteve janë të vetëdijshëm për këtë dhe janë duke punuar shumë që t’i shmangin ato.

Problemi kryesor mund të jetë konflikti në mes të shqisave të ndryshme. Kur ne shikojmë një film 3D të tillë si Avatar, sistemi ynë vizual do të na tregojë se ne jemi duke fluturuar lartë në qiellin e një hëne të largët, por shqisat e tjera na tregojnë se ne jemi ende ulur në karrige dhe të palëvizshëm, transmeton Lajmi.net.

Pra, e gjitha qëndron tek konflikti në mes të shqisave, thonë shkencëtarët. Sigurisht, filmat në 2D paraqesin këtë lloj konflikti gjithashtu, por truri ynë duket se është mësuar ta pranojë përmbajtjen 2D si “jo reale”.

Disa njerëz madje kanë sugjeruar se përmbajtjet 3D mund të shkaktojnë efekte edhe më serioze. Për shembull, pajisjet TV të Sony që mbështesin efektet 3D kanë treguar një gamë më të gjerë të simptomave të mundshme – jo vetëm dhimbje koke, lodhje, sëmundje të lëvizjes dhe lodhje të syve – por edhe shikim të ndryshuar, marramendje, dhimbje barku, konvulsione dhe madje edhe humbje të vetëdijes.

Por deri më sot është punuar pak për t’i vlerësuar këto.