Edukimi medial planifikohet të futet në arsimin parauniversitar

Tre vjet më parë, Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), mbajti një debat me temën “Lëndët zgjedhore në shkolla të mesme dhe rëndësia e lëndës "Njohuritë për Medie’”.

Lajme

06/02/2016 23:42

Nga ajo kohë, çdo gjë ka mbetur vetëm në kornizën e këtij debati edhe pse futja e lëndës për media në arsimin parauniversitar të Kosovës ishte cilësuar si shumë e nevojshme, pasi nxënësit e shkollave të mesme do të përfitonin shumë duke u njohur me efektet pozitive dhe negative që i ka media, pra të dinë të filtrojnë atë përmbajte mediale që iu servohet.

Një arsye tjetër pse kjo lëndë duhet të inkuadrohet në arsimin parauniversitar, është se sot mësimi nuk është klasik dhe nxënësit mësojnë jo vetëm në shkollë por edhe nga mediat, gazetat, radiot, televizioni, internetit etj.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një përgjigje me shkrim dhënë për portalin tesheshi.com ka thënë se pas rishikimit të dokumentave kurrikulare, lënda “Edukimi për Medie” do të përfshihet në Kornizën e Kurrikulës së arsimit parauniversitar të Kosovës si çështje ndërkurrikulare për të gjitha fushat kurrikulare (7 fusha kurrikulare).

“Edukimi për medie në arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës është i përfshirë në Kurrikulat Bërthamë për Arsimin e mesëm të ulët dhe Kurrikulën Bërthamë të Arsimit të mesëm të lartë si çështje ndërkurrikulare.

Edukimi për medie mund të përzgjidhet si lëndë me zgjedhje (lëndë,modul, projekt)”, ka thënë Faton Fetahu, asistent i ministrit Arsim Bajrami për tesheshi.com.

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, thotë se lënda e “Edukimit në Media”, duhet sa më parë të përfshihet në arsimin parauniversitar.

“Në ndikimin gjithnjë e në rritje të mediave sociale është bërë e domosdoshme që të ketë një lëndë për mediat dhe përdorimin e tyre. Është një çështje që duhet të futet në planprograme. Duke parë problemet jo vetëm nga adoleshentët që shfaqën në komunikim dhe në fusha të tjera, duhet sa më shpejt të hartohet programi për edukimin medial që do t’iu ndihmonte nxënësve”, ka thënë profesor Krasniqi.

Edhe drejtoresha ekzekutive në Qendrën e Medieve të Grave, Violeta Kurti – Islami, ka mendim të njëjtë me profesor Krasniqin, por shton se është vështirë që aktulisht lënda për mediat të bëhet pjesë e shkollave të mesme.

“Integrimi i  kësaj lënde, do të ishte përgjigje se si t’i qasemi ,  si të ballafaqohemi , analizojmë informacionin e sofistikuar  përmes potencialeve të  shumëllojshme mediale, sikurse  po e dëshmojmë  në çdo mënyrë sot afekton dhe dikton mënyrën e sjelljes dhe të menduarit tonë”, ka thënë Kurti-Islami për tesheshi.com.

Profesoresha e gazetarisë e UP-së, Lindita Tahiri, në një intervistë dhënë më parë për mediat kosovare ka thënë se “Edukimi për Media” duhet të jetë lëndë mësimore në arsimin parauniversitar, pasi që në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme.

“Nga kontaktet që i kam pasur me Ministrinë e Arsimit, planifikohet që “Edukimi për Media” të jetë element ndërkulikular në planprogramet parauniversitare, ndërkaq unë e trajtoj vazhdimisht këtë temë me studentët e mijë të gazetarisë. Në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme që individi i vërshuar nga të gjitha anët me informacione, të jetë në gjendje t’i krijojë shkathtësitë elementare për kompetencë autonome kritike dhe të jetë në gjendje të dallojë se cilat janë interesat e mediave dhe cilat janë interesat e publikut”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe, profesorë të shkollave të mesme të Prishtinës në debatin e organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Kosovës më 2013-të, kishin shprehur përkrahjen për idenë e futjes së lëndës për mediat në shkollat e mesme. /tesheshi.com