Edita Tahiri tregon për atmosferën e tensionuar sot në Bruksel
Pa asnjë marrëveshje ka përfunduar takimi i radhës i grupeve punuese në dialogun Prishtinë-Beograd me ç’rast është diskutuar energjetika.

Lajme
Prishtina ka refuzuar mundësinë që në veri të Kosovës të themelohet operatori i ri, përkatësisht serb.
Sipas kreynegociatores kosovare, Edita Tahiri, insistimi kategorik i palës serbe për një kompani distribucioni ka bërë që të tensionohet atmosfera në bisedime dhe që këto të përfundojnë pa asnjë rezultat. Kërkese tjetër e palës serbe, sipas Tahirit, ishte të licencohet “Elektrokosmeti”.
“Ajo çfarë kërkonte pala serbe ishte në të vërtetë legalizimi i kompanisë ilegale e cila vepron edhe ashtu në veri të Kosovës. Qytetarët e veriut furnizohen me rrymë nga Kosova, ndërsa të ardhurat nga ky furnizim shkojnë në Serbi”, tha për RTK Edita Tahiri. Kërkesat që i prezantoi pala e Beogradit gjatë takimit, sipas saj, janë në kundërshtim të marrëveshjes së Brukselit.
Energjetika ishte e vetmja temë e diskutimit gjatë takimit të sotëm të grupeve punuese. Gjatë këtij muaji do ketë intensifikim të takimeve të tilla. Pjesa e dytë e muajit maj do jetë periudhë kur do ketë takime të shumta e ku do të diskutohen, mes tjerash, sigurimet e automjeteve, ndërtesat e përhershme të IBM-it, telekomi, si dhe heqja e barrikadave, ndërsa në horizont është edhe caktimi datës kur do nisin bisedimet konkrete për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.