Edi Rama publikon videon e fjalës përmbyllëse të Hashim Thaçit në Hagë: Liria ka emër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar videon e fjalës përmbyllëse sot në Hagë. Përbri saj, Rama ka shkruar “Liria ka emër”. Ish-presidenti Hashim Thaçi u deklarua plotësisht i pafajshëm në fjalën e tij përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai tha se plane morbide po…

Lajme

18/02/2026 21:45

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar videon e fjalës përmbyllëse sot në Hagë.

Përbri saj, Rama ka shkruar “Liria ka emër”.

Ish-presidenti Hashim Thaçi u deklarua plotësisht i pafajshëm në fjalën e tij përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se plane morbide po bënte vetëm Sllobodan Millosheviqi dhe për këtë shkak tha se u detyrua fillimisht ta lëshonte vendin.

“Duke i parë masakrat në popullin tim, unë, si edhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent”, tha ai.

Thaçi tha se në pranverën e vitit 1998 u kthye në Kosovë sepse tha se nuk mund të qëndronte anash kur familja dhe populli po përballej me shfarosje.

“Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, tha ai.

Thaçi tha se e ka të rëndë t’i dëgjojë këto akuza, kur tha se s’ka qenë i sigurt nëse do ta shihje sërish familjen.

“Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe për ta rrezikuar jetën time për liri dhe paqe”, tha ai.

Thaçi pyeti se prej kujt do ta merrte kontrollin, kur ai ishte në duart e Millosheviqit, duke iu referuar kështu akuzave të Prokurorisë.

Ai tha se ishte “në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të administratës amerikane”.

“Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte. Nuk do të kishte as pavarësi të Kosovës. Prandaj pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet”.