Edi Rama dëshmon në Prokurori: Të zbardhen akuzat e deputetit Tom Doshi

Kryeministri Edi Rama ka dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi ka dhënë dëshminë e tij pas rreth një orë e gjysmë.

Lajme

06/03/2015 16:20

Kreu i qeverisë, i ka cilësuar akuzat e bëra nga Tom Doshi si një farsë, që sipas tij janë histori me personazhe politike dhe gangsterë që aktrojnë.

Ai tha se Shqipëria është ndarë më 23 qershor nga koha kur ish-kryeministri (Sali Berisha) e trajtonte Prokurorinë e Përgjithshëm si “ushqim për qen”.

“Uroj që ftesa për të ardhur këtu, – theksoi Rama. – të jetë shprehje e vullnetit të Prokurorisë për të zbardhur të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Publiku është marrë peng në këtë histori me personazhe politikë dhe gangsterë që aktrojnë mbi bazën e një skenari, që sipas historisë së djeshme në Kuvend, bën protagonist edhe ish-kryeministrin Berisha”.

Sipas Ramës, “vetëm një hetim i plotë mund ta çlirojë publikun dhe politikën nga kjo histori. Nëse Prokuroria ka vullnet për të zbuluar përgjegjësit, kushdo qofshin ata, kjo histori nuk mund të mbarojë si film dhe jeta e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë nga filmi në film”, – përfundoi ai.

Pas më shumë se 3 orë dëshmi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka pohuar se tashmë është koha që të flasë vetëm institucioni i akuzës.

“Dëshmova gjithçka kisha dijeni gjatë gjithë kësaj kohe, duke shpresuar se kjo që bëjmë të gjithë ne është ndihma më e madhe për ta lënë Prokurorisë të bëjë hetime të plota dhe të zbardhë gjithçka nga kjo ngjarje, – u shpreh Tahiri para gazetarëve. – Është koha që t’i lëmë institucionet që të flasin, më vjen keq që publiku është ngarkuar shumë me këtë histori”. /Gazeta Shqip/