Edhe zgjedhjet janë opsion
Ish kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili pas humbjes në zgjedhjet lokale ftohu raportet me partinë e tij, PDK, ka thënë se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ta zhbllokojë situatën e dhimbshme të krijuar në vend.

Lajme
Mustafa, në një intervistë për Epoka e Re, ka kritikuar PDK-në siç ka thënë, që nuk diti t’i ruajë partnerët e saj strategjikë dhe sot është para një situate të tillë.
“Gjatë rrugës në qeverisje për këta shtatë vjetët e kaluara PDK-ja humbi partnerët e saj tradicionalë dhe strategjikë. Përveç kësaj, humbi edhe shumë nga energjitë brenda saj”, është shprehur ai, duke shtuar se edhe nëse krijohen rrethanat që PDK-ja të shkojë në opozitë, kjo do t’i bëjë hair shëndetit të saj.
Sipas tij, PDK-ja nuk është përgjegjëse për vonesën e formimit të institucioneve por ka thënë se fajin për këtë e ka koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.
“Para se gjithash, janë inatet e bllokut humbës opozitar që e bllokuan situatën duke marrë qëndrim absolut kundër PDK-së e cila fitoi më së shumti besim nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit”.
Duke folur për zgjedhjet eventuale, Mustafa ka thënë se PDK nuk mund ta qojë vendin në zgjedhje, por këtë e bën Gjykata Kushtetuese.
“Vendin në zgjedhje eventuale të jashtëzakonshme nuk e çon PDK-ja sepse ajo nuk e ka këtë fuqi. Këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj interpretues të cilin po e presim në fund të këtij muaji”, ka thënë Qemajl Mustafa.