Edhe sivjet pa reformë fiskale, TVSH-ja do të paguhet në kufi

Një biznes kosovar duhet që t’i paguajë mijëra euro tatime shtetit për mallin ende të pa shitur, përderisa një gjë e tillë nuk ndodh në vendet tjera. Kjo shihet si edhe një nga pengesat më të mëdha që u bëhet bizneseve vendore në raport me konkurrencën e jashtme, pasi që me një pengesë të tillë nuk ballafaqohen bizneset e rajonit.

Lajme

15/01/2015 23:54

Bizneset kosovare janë të obliguar të paguajnë në kufi, pos doganës edhe  TVSH-në prej 16 për qind për mallin e importuar.

Këtë barrë bizneset do ta bartin edhe këtë vit, pasi që nuk është paraparë të bëhet ndonjë reformë fiskale.

Burime të Gazetës Tribuna brenda Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se reformat fiskale mund të fillojnë nga viti 2016.

“Këtë vit është e pamundur që TVSH të kalojë nga Dogana e Kosovës në ATK, pasi që buxheti është trashëguar nga qeveria e kaluar dhe po ashtu edhe projeksionet janë hartuar nga ajo qeveri. Por, synim i qeverisë gjithsesi do të mbeten reformat fiskale pasi që ka shumë vend për përmirësime. Ne jemi të vetëdijshëm se mbledhje e TVSH-së në kufij ju sjell probleme të mëdha bizneseve, pasi që atyre u duhet të paguajnë tatimin ende pa e shitur mallin. Por nga viti i ardhshëm qeveria do të fillojë me reformat fiskale”, ka thënë ky burim.

Ministri i Financave, Avdulla Hoti, në një intervistë për Tribuna, ka premtuar që në një afat sa më të shkurtër të mundshëm do t’i rrisim kapacitetet e ATK-së, në mënyrë që mbledhja e TVSH të mos bëhet në kufi, por të bëhet vetëm pasi që të shiten mallrat.

“Edhe pse Dogana siguron 2/3 e të hyrave të përgjithshme tatimore, rreth gjysma e tyre janë në fakt TVSH që bizneset e paguajnë me rastin e importit të mallrave. Kjo është një barrë për bizneset sepse ato detyrohen të paguajnë përpara se të shesin mallin e tyre. Ne kemi në plan që në afatin me të shkurtër të mundshëm t’i rrisim kapacitetet e ATK-së, në mënyrë që mbledhja e TVSH të mos bëhet në kufi, por të bëhet vetëm pasi që të shiten mallrat. Ne presim që gjatë mandatit të hyrat buxhetore të gjenerohen nga aktiviteti ekonomik në vend”, ka thënë Hoti.

Ai më tutje ka premtuar se qeveria do të punojë në uljen e TVSH-së dhe përgjysmimin e tatimit në qarkullim .

Në anën tjetër, edhe komuniteti i biznesit pothuajse është pajtuar që reformat fiskale këtë vit do të jenë pothuajse të pamundura.

“Kemi fol me ministrin për hapat që duhet të ndërmerren në roformat fiskale. Kemi kërkuar që të hiqet taksa doganore për lëndën e parë dhe që TVSH të paguhet brenda. Mirëpo, këtë vit nuk presim që të bëhet ndonjë mrekulli pasi që kjo qeveri ka trashëguar këtë buxhet me projeksionet që janë bërë”, ka thënë kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Ai për Tribuna ka shprehur besimin se reformat fiskale të ndodhin duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Ne presim që reformat fiskale të fillojnë nga viti i ardhshëm dhe presim që viti i parë të jetë mjaft sfidues pasi që do të ketë edhe implikime buxhetore. Këto reforma presim që të bëhen edhe me ndihëm e donatorëve. Reformat janë të domosdoshme pasi që më forcimin e sektorit privat forcohet edhe shteti dhe në aspektin e afatgjatë kjo do të jetë në të mirë edhe të shtetit”, ka thënë Shahini. /Gazeta Tribuna/