​Edhe pas liberalizmit, kosovarët i mbesin besnik Shqipërisë për turizëm

Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë. Bregdeti, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës e agroturizmi po tërheqin shumë vizitorë, duke përfshirë edhe ata nga Kosova. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të…

Lajme

09/05/2024 13:08

Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Bregdeti, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës e agroturizmi po tërheqin shumë vizitorë, duke përfshirë edhe ata nga Kosova.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela, në një intervistë për KosovaPress thotë se pret rritje të numrit të turistëve kosovarë, ani pse qytetarët e vendit tonë, që nga janari i këtij viti kanë mundësinë që të vizitojnë shumë vende të tjera në Evropë.

Qela potencon se është rritur për 50 për qind numri i kosovarëve që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre mujorit të parë të këtij vit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Unë mendoj se shqiptarët kudo qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, shteti mëmë e kanë destinacionin kryesor…Ne presim të kemi rritje dhe në fakt, tre muajt e parë të këtij viti e demonstruan këtë pohimin tim, sepse në krahasim me një vit më përpara në 3 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve kosovarë u rrit mbi 50 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Qela.

Për KosovaPress, Qela theksoi se po punojnë që shqiptarët ta shohin Kosovën si një nga destinacionet më atraktive për t’u vizituar, derisa përmendi sportet e aventurës si më tërheqëse.

“Ne po punojmë shumë që edhe shqiptarët ta shikojnë Kosovën si një destinacionet më atraktive, veçanërisht për sportet e aventurës Kosova shquhet për destinacionet e mrekullueshme dhe pse jo le të krijojmë një destinacion të përbashkët. Pra, le të jetë Shqipëria dhe Kosova një destinacion i përbashkët, shumë tërheqës për të gjithë turizmin botëror, pse jo”, thekson Qela.

Ndër të tjera, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela tregon se pas kosovarëve, numri i vizitorëve nga Italia është rritur trefish më shumë në krahasim me vitet e kaluara.

Ajo theksoi se Shqipëria po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor, derisa përmendi se përveç bregdetit, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës, agroturizmi po tërheqë çdo herë e më shumë vizitorë.

“Referuar shifrave, mbas Kosovës, vizitorët nga Italia janë rritur trefish më shumë në krahasim me vitet e kaluar, nga Spanja po ashtu, nga Holanda, Polonia. Pra, ka një rritje te jashtëzakonshme të numrit të turistëve. Dhe jo vetëm përgjatë sezonit veror, tashmë Shqipëria po bëhet një destinacion gjithëvjetor…Po të krahasojmë me shifrat, flukset turistike janë shpërndarë gjithandej, jo vetëm në bregdet, por shumë edhe në pjesën veriore, sepse turizmi i alpeve po tërheqë shumë. Turizmi i sporteve të aventurës po tërheqë shumë. Por, edhe turizmi i agrobizneseve, agroturizmi po tërheqë shumë turistë, veçanërisht nga Gjermania dhe vendet nordike, nga Izraeli, janë turistë specifik të cilët e pëlqejnë këtë lloj turizmi”, potencon Qela.

Ndërkaq, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 nga Kosova në Shqipëri kanë hyrë rreth 4.4 milionë vizitorë me një rritje prej 67 për qind në krahasim me vitin 2022. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 43 për qind të totalit të shtetasve të huaj.