Edhe pas janarit zyrtari policor me 660 euro rrogë, por Sveçla krenohet me aksionet e fundit: Mirënjohës secilit policit

Aksione të shumta ka realizuar Policia e Kosovës përgjatë kohëve të fundit. Një i tillë u realizua dje në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës, ku janë arrestuar disa persona nën dyshimin për fajde. Të arrestuar pati edhe në Leposaviq, për gjetje të një arsenali armësh. E për të gjitha këto, ministri i Punëve të Brendshme…

Lajme

01/11/2024 14:58

Aksione të shumta ka realizuar Policia e Kosovës përgjatë kohëve të fundit.

Një i tillë u realizua dje në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës, ku janë arrestuar disa persona nën dyshimin për fajde.

Të arrestuar pati edhe në Leposaviq, për gjetje të një arsenali armësh.

E për të gjitha këto, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla përgëzoi zyrtarët policorë të Kosovës.

Ai tha se u është mirënjohës secilit pjesëtar policor për përkushtimin e profesionalizmin që tregojnë, transmeton lajmi.net.

“6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim. Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit. I jam mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Republikën tonë për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë e zhvillohen të lirë e të sigurtë dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre. Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror”, tha ministri.

Ai përmendi edhe rastet e suspendimit të disa zyrtarëve policorë, nën dyshimin për keqtrajtim të qytetarëve.

“Profesionalizmi i zyrtarëve policor mbetet kyç andaj çdo veprim i tejkaluar që dëmton imazhin dhe vlerat e Policisë së Kosovës nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Në dy raste të ndara, si shkak i dyshimit të keqtrajtimit të qytetarëve, janë suspenduar 5 zyrtarë policor. Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe është garanca e sundimit të rendit e ligjit për të gjithë e pa dallim. Ajo është e ngritur mbi vlera demokratike që para se gjithash respekton të drejtat e liritë e njeriut.”,tha ai.

Ministri Sveçla theksoi se “Do të vazhdojmë mbështetjen tonë pakursim për Policinë e Kosovës, sukseset e së cilës jo vetëm që garantojnë siguri për vendin dhe qytetarët tanë por edhe ngrisin lart Republikën tone”./Lajmi.net/