Edhe pak ditë deri te spektakli, Labinot Xhoxhaj gati për një tjetër luftë në ring
Boksieri kosovar Labinot Xhoxhaj do të ngjitet sërish në ring këtë të premte, më 27 nëntor, në një përballje të rëndësishme për karrierën e tij profesionale, ku do ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë. Xhoxhaj do të përballet me boksierin italian Eduardo Giustini në Europa-Park Arena në Rust të Gjermanisë,…
Sport
Boksieri kosovar Labinot Xhoxhaj do të ngjitet sërish në ring këtë të premte, më 27 nëntor, në një përballje të rëndësishme për karrierën e tij profesionale, ku do ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë.
Xhoxhaj do të përballet me boksierin italian Eduardo Giustini në Europa-Park Arena në Rust të Gjermanisë, në një meç që zhvillohet në kuadër të mbrëmjes së boksit “Symphony of the Ring”.
Bëhet fjalë për një mbrojtje vullnetare të titullit të Federatës Evropiane të Boksit (EBU), ndërsa përballja është paraparë të zhvillohet në 12 raunde.
Xhoxhaj hyn në këtë duel me një bilanc mbresëlënës prej 22 fitoresh, asnjë humbjeje dhe një barazimi në boksin profesionist. Prej 22 fitoreve, 17 i ka realizuar me nokaut, duke dëshmuar fuqinë e tij në kategorinë më të rëndë të boksit.
Boksieri kosovar e kishte fituar titullin evropian në nëntor të vitit 2024, kur e mposhti ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi pas 12 raundeve. Më pas, ai e mbrojti me sukses këtë titull ndaj francezit Mourad Aliev dhe suedezit Pezhman Seifkhani, të cilin e mposhti me nokaut në raundin e katërt, më 14 shkurt të këtij viti.
Në anën tjetër, kundërshtari i tij, Eduardo Giustini, është boksier italian me bilanc prej 20 fitoresh dhe katër humbjesh. Ai renditet në mesin e boksierëve të kategorisë së rëndë në Evropë dhe vjen në këtë përballje pas tri fitoreve radhazi.
Xhoxhaj është kampion aktual i Evropës, ndërsa Giustini është i renditur në pozitën e 20-të të pretendentëve.
Për Xhoxhajn, kjo përballje është një mundësi tjetër për ta ruajtur titullin evropian dhe për ta vazhduar serinë e tij pa humbje në boksin profesionist.