Edhe një votë për Qeverinë Kurti 3, Rasim Demiri nga koalicioni Vakat e konfirmon mbështetjen e tij: Presim ftesë për takim ditëve në vijim
Edhe 3 ditë të fundit i kanë mbetur kryetarit të VV-së, Albin Kurtit që të mbaj seancën e Kuvendit të Kosovës për të vënë në votim Qeverinë Kurti 3. Por ende, deri më sot nuk ka një ditë të caktuar apo një shenjë nga Kurti se kur mund ta mbaj këtë seancë, shkruan lajmi.net. Ai…

Lajme
Edhe 3 ditë të fundit i kanë mbetur kryetarit të VV-së, Albin Kurtit që të mbaj seancën e Kuvendit të Kosovës për të vënë në votim Qeverinë Kurti 3.
Por ende, deri më sot nuk ka një ditë të caktuar apo një shenjë nga Kurti se kur mund ta mbaj këtë seancë, shkruan lajmi.net.
Ai ende nuk ka njoftuar as edhe për takime me deputetë të Kuvendit të Kosovës për të siguruar votat e tyre, por që disa deputetë nga minoritetet e kanë konfirmuar votën e tyre nga Kurti.
Rasim Demiri nga koalicioni Vakat e ka konfirmuar për lajmi.net se do ta mbështesin Qeverinë Kurti 3.
“Sa i përket formimit të Qeverisë, që nga fillimi i bisedimeve me kryeministrin Kurti, ne e kemi bërë qëndrimin tonë plotësisht të qartë – do ta mbështesim formimin e Qeverisë Kurti 3”, ka thënë Demiri për lajmi.net.
Ai ka thënë se ende nuk i kanë përfunduar diskutimet për detaje konkrete.
“Për detajet konkrete ende nuk kemi përfunduar diskutimet, por presim ftesën gjatë ditëve në vijim. Edhe një herë dua të theksoj se do të votojmë për formimin e Qeverisë së re”, ka shtuar Demiri.
Nga minoritetet, votën e tyre e kanë konfirmuar edhe Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi, Artan Asllani, Albert Kinolli ndërsa Veton Berisha nga komuniteti Egjiptian ka thënë se po presin ftesë për takim nga Kurti për ta konfirmuar mbështetjen e tyre.
Albin Kurti nuk është parë shumë optimist në lidhje me formimin e Qeverisë pasi që në një takim me mërgimtarët në Londër, ai ka thënë se alternativë e vetme janë zgjedhjet.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë Kurti të martën.
Në lidhje me formimin e Qeverisë, Kurti ka përjashtuar mundësinë për diskutime dhe formimin e një koalicioni me PDK-në ndërsa e ka lënë të hapur një mundësi me LDK-në, por që deputetë të kësaj partie nuk janë deklaruar ende nëse kanë pranuar një ftesë nga Kurti.
Votat e deputetëve të koalicionit të VV-së me Alternativën dhe Guxo si dhe ato të minoriteteve të cilat i kanë siguruar, nuk i mjaftojnë Kurtit për të formuar Qeverinë.
Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare. /Lajmi.net/