Edhe një mandat për ulëset e rezervuara
Ambasadorja e SHBA’ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, preferon vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat edhe për një mandat të Kuvendit. Megjithatë, ajo thotë se vendimi u përket deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Lajme
Ambasadorja Amerikane, Tracey Ann Jacobson, në një prononcim për Radio Dukagjinin ka deklaruar se mbështet vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për mandatin e ardhshëm, mirëpo, sipas saj, për këtë duhet të vendosin autoritetet e Kosovës.
“Ulëset e rezervuara janë një çështje e ndjeshme. Mendimi im është se do të kishte kuptim që të vazhdohet me ulëset e rezervuara për mandatin e ardhshëm, por unë nuk kam votë në Kuvendin e Kosovës, kështu që kjo u takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin”, ka thënë Jacobson
Jacobson ka deklaruar se 2 deri në 3 ulëse do të mund t’i rezervoheshin përfaqësuesve të Veriut gjatë mandatit të ardhshëm.
“Ndjenja ime është se duhet përkrahur procesin e tashëm të integrimit në veri. Po shohim disa përparime me polici, dogana dhe mund të ketë kuptim që të jenë 2- 3 ulëse të rezervuara për mandatin tjetër. Por ky nuk është vendimi im, duhet ta bëj të qartë se ne kemi takuar liderët por roli i ambasadoreve nuk është të vendosim por të inkurajojnë dialogun dhe jo të vendosim”, është shprehur Ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracey An Jacobson.
Deputetët e pakicave kanë parashtruar kërkesë për ndryshime kushtetuese, me qëllim rikthimin e një neni për kthimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, pas takimit të fundit të liderëve për reformë zgjedhore, ka pohuar se nëse ulëset e rezervuara nuk zgjaten të paktën edhe për një mandat ka gjasë që veriu të mbetët një konflikt i ngrirë.