Edhe një javë kohë që 11 mijë zyrtarë shtetërorë të bëjnë deklarimin e pasurisë – mbi 5 mijë s’e kanë filluar fare

Edhe një javë ka mbetur kohë, që zyrtarët publik të mund ta deklarojnë pasurinë e tyre, proces ky që bëhet çdo vit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Që nga 1 marsi e deri me 31 mars, Agjencia kundër Korrupsionit është e hapur që zyrtarët publik të Republikës së Kosovës të kryejnë obligimin e…

Lajme

25/03/2025 20:02

Edhe një javë ka mbetur kohë, që zyrtarët publik të mund ta deklarojnë pasurinë e tyre, proces ky që bëhet çdo vit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Që nga 1 marsi e deri me 31 mars, Agjencia kundër Korrupsionit është e hapur që zyrtarët publik të Republikës së Kosovës të kryejnë obligimin e tyre ligjor, i cili nëse nuk kryhet pason me masa ligjore, shkruan lajmi.net.

Në një përgjigje për lajmi.net nga ky institucion u tha se këtë vit në Kosovë numri i tërësishëm i zyrtarëve publikë që duhet të deklarojnë pasurinë deri më 31 mars është rreth 11,000 zyrtarë.

“Procesi ka filluar. Siç parashihet me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, në Kosovë janë disa kategori të zyrtarëve të lartë të cilët janë të detyruar të deklarojnë pasurinë. Afati ligjor për deklarimin vjetor të pasurisë ka nisur nga 1 marsi dhe përfundon në mesnatën e 31 marsit”.

Nga 11 mijë zyrtarë, deri tani në APK, pasurinë e tyre e kanë deklaruar plotësisht 3868 zyrtarë publikë, 1856 të tjerë e kanë nisur atë dhe janë në proces të deklarimit ndërsa 5276 nuk e kanë filluar ende këtë proces, ndonëse kanë vetëm edhe një javë kohë. 

“Këtë vit në Kosovë numri i tërësishëm i zyrtarëve publikë që duhet të deklarojnë pasurinë deri më 31 mars është rreth 11,000 zyrtarë. Numri i zyrtarëve që tashmë kanë deklaruar pasurinë: Sipas të dhënave të fundit, deri tani janë 3868 zyrtarë publikë që kanë përfunduar procesin e deklarimit të pasurisë, ndërsa 1856 kanë nisur dhe  janë në proces të deklarimit”, u tha nga APK.

APK ka thënë për lajmi.net se zyrtarët publik, janë të detyruar që të deklarojnë pasurinë tri herë.

Deklarimi i pasurisë bëhet së pari, brenda një muaji kurdo që marrin mandatin apo detyrën zyrtare, pastaj deklarimin e rregullt vjetor që bëhet nga 1 marsi deri më 31 mars, si dhe deklarimin brenda një muaji pasi kanë mbaruar mandatin apo detyrën zyrtare.

Deklarimi duhet të përfshijë informacion për:

-Të ardhurat vjetore duke përfshirë pagën, mëditjet, tarifat nga organet drejtues edhe komisionet, dhe nga të drejtat e pronësisë intelektuale

-Pronësinë ose veprimtarinë dhe fitimin e fituar nëpërmjet një shoqërie private, edhe nga anëtarët e ngushtë të familjes

-Kursime, para të gatshme, valutë digjitale dhe depozita, në Kosovë dhe jashtë saj, edhe të anëtarëve të ngushtë të familjes

-Vlera e pasurisë së paluajtshme, pasurive të luajtshme, stoqet dhe letrat me vlerë

-Huatë, borxhet dhe detyrimet, stoqet dhe letrat me vlerë

-Shpenzimet, donacionet dhe transaksionet mbi 3000 euro”, ka thënë APK për lajmi.net. 

Në vitin që kemi lënë pas, gjithsej 98 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, e që APK ka thënë se për ta ka masa ligjore që duhet të merren.

“Sipas legjislacionit në fuqi, mosdeklarimi në kohë i pasurisë, deri në 15 ditë, ka si pasojë shqiptimin e gjobës mandatore prej 30% të pagës mujore të zyrtarit, ndërsa kur ka vonesa më shumë se 15 ditë nga afati ligjor, Agjencia përgatit kallzim penal, pasi që shkelja e tillë përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal dhe që mund të rezultojë me gjobë, burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin. Korniza ligjore që rregullon procesin e Deklarimit të Pasurisë dhe punën e APK-së nuk parasheh ndonjë afat shtesë për deklarimin e pasurisë pas datës 31 mars, pa pasoja juridike”, ka thënë APK për lajmi.net. 

Në deklarimin e pasurisë, përfshihen të gjithë zyrtarët e institucioneve publike të Republikës së Kosovës.

Raste të mosdeklarimit të pasurisë, ka të shumta edhe nga krerë të lartë institucional. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në vitin 2022 është dënuar me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020.

Në nëntor të vitit 2024, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.

E tani deklarimin e pasurisë pritet ta bëjnë edhe mjekët e profesorët , gjë që më parë nuk ka ndodhur. Anipse vendimi u morë pati ankesa e kundërshtime të shumta që ata të mos bëjnë deklarim pasurie. Pavarësisht kësaj drejtori i APK-së pati thënë se në fakt kjo është për të mirën e shtetit.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka theksuar rëndësinë e deklarimit të pasurisë nga mjekët dhe profesorët.

Edhe pse ka pasur kritika në opinion për këtë kërkesë, Buleshkaj ka thënë se kjo është një kërkesë ligjore e përcaktuar nga Parlamenti dhe Ministria, dhe se mjekët dhe profesorët e universiteteve publike janë të detyruar që të bëjnë këtë deklarim.

Fillimisht, ai ka njoftuar se ka pasur hezitime dhe ankesa, por Agjencia ka informuar të gjithë se përmbushja e këtij obligimi është e detyrueshme dhe se ata që nuk e kryejnë atë mund të përballen me sanksione, përfshirë gjoba dhe kallëzime penale.
“Ka pasur rezistencë, por e kanë kuptuar që do të kryhet si obligim, pastaj nëse këto institucione marrin një iniciativë ligjore ku ata mund të përjashtohen në të ardhmen mund të përjashtohen, por për sa kohë që janë pjesë e ligjit duhet të kryejnë këtë obligim. Do të kemi vetëm dy profesor të cilët nuk janë deklaruar dhe katër apo gjashtë mjekët. Të gjithë këtë e kanë kryer obligimin, por me vonesë, por tetë raste janë me vonesë. Jemi në proces final të vënies në funksion të raportimit elektronik të keqpërdorimeve, është finalizuar edhe aplikacioni për sinjalizim tek agjencia. Jemi duke zhvilluar kapacitetet njerëzore, e në këtë mënyrë jo vetëm të dalim përballë barrës që është vënë me ligj po ashtu të tejkalojmë kërkesat dhe të jemi institucion që përmendemi për të mirë. Praktikat më të mira të Evropës jemi duke i vënë në funksion dhe nga viti i radhës publiku do të vërehet”, shtoi ai.
Që nga viti i kaluar, deklarimi i pasurisë bëhet vetëm në formë elektronike. /Lajmi.net/ 

Linku i pozitave të cilat duhet të deklarojnë pasurinë: