Edhe një biznes e fiton rastin në Gjykatë kundër ZRRE-së, OEK kërkon që të shfuqizohet komplet vendimi për treg të lirë

Një tjetër aktvendim i rëndësishëm është lëshuar nga Gjykata Komerciale në Prishtinë në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) njofton se vendimi i ri është rezultat i padisë së ushtruar nga bashkëpunëtorët ligjorë të…

Lajme

04/07/2025 16:47

Një tjetër aktvendim i rëndësishëm është lëshuar nga Gjykata Komerciale në Prishtinë në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) njofton se vendimi i ri është rezultat i padisë së ushtruar nga bashkëpunëtorët ligjorë të OEK-ut, Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, dhe ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për një nga anëtarët e Odës.

Sipas OEK, ky është një tjetër argument i fortë që duhet të nxisë ZRrE-në ta rishqyrtojë tërësisht këtë vendim dhe ta pezullojë për të gjitha bizneset, për të shmangur dëmet që po i shkaktohen konkurrencës së lirë, sektorit privat dhe ekonomisë në tërësi.

OEK i bën thirrje ZRrE-së që të veprojë me profesionalizëm dhe pa emocione, duke anuluar vendimin për daljen e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë.

Po ashtu, OEK njofton se të hënën do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera që po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE-së, duke dëshmuar përmasat e problemit dhe mbështetjen që po marrin bizneset përmes rrugëve ligjore.

Postimi i plotë i OEK-ut:

“Një tjetër aktvendim gjyqësor pezullon vendimin e ZRrE-së, OEK i bën thirrje pezullimit të vendimit për të gjitha bizneset.

Oda Ekonomike e Kosovës njofton për aktvendimin e radhës, i cili ka ardhur nga Gjykata Komerciale në Prishtinë, përmes padisë së ushtruar nga bashkëpunëtorët e OEK Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, që pezullon vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës.

Ky aktvendim nga Gjykata duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRrE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset, për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së lirë, biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës.

Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRrE-së që pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë.

Gjithashtu ju njoftojmë se të hënën, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera të cilat po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE.

Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve të saj ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK.”/Lajmi.net/